KZAZ-të, KQZ lejon komisionerët e opozitës

28/03/2011 18:30

KQZ do t’i lejojë opozitës që të vendosë komisionerët e saj nëpër KZAZ-të që do të ngrihen në kuadër të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili në një intervistë për VOA është shprehur se një gjë e tillë bëhet për të bërë sa më të besueshëm procesin e ardhshëm elektoral.

“Nesër mund të ketë një mbledhje të komisionit për të rikthyer komisionerët e opozitës në detyrë. KQZ është i detyruar të bëjë një shkelje ligjore për shkak të shkeljes arrogante që PS i ka bërë ligjit”, ka deklaruar Ristani.

I pyetur lidhur me qëndrimin e komisionerëve të PS, të cilët kanë bojkotuar disa herë mbledhjet e komisionit, Ristani ka theksuar se një gjë e tillë është bërë pengesë për zgjidhjen e një sërë problemesh, të konstatuara në proceset e mëparshme zgjedhore.

“Komisionerët e opozitës i bojkotojnë mbledhjet, gjë që ka sjellë një të keqe të madhe pasi nuk kemi nxjerrë dot akte normative në të gjithë territorin, duke u bazuar në vërejtjet e OSBE/ODIHR-it. Për të bërë këto akte normative duhen 5 vota, që ne na kanë munguar për shkak të bojkotit të tyre”, ka pohuar Ristani.

Përsa i përket përgatitjeve për procesin e 8 majit, kreu i KQZ ka nënvizuar se ky institucion i ka përfunduar të gjitha operacionet logjistike.

“Përsa i përket logjistikës, ne kemi bërë punën parapreke. Kanë mbaruar tenderimet dhe presim furnizimet nga kompanitë që t’i sjellin. Deri tani situata është në rregull. Ne i kemi marrë masat tona dhe shpresojmë që partnerët të jenë të rregullt”, ka shtuar ai.

Top Channel