Basha, fushatë për Tiranën

27/03/2011 16:00

Kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka nisur takimet me banorët e kryqytetit, me qëllim, që në këtë fazë të fushatës elektorale të dëgjojë problemet e qytetarëve.

Në njësinë bashkiake numër tete, ku janë përqendruar tiranasit autoktonë, zoti Basha konstatoi se kjo është një zone tipike që përfaqëson të gjithë problemet e kryeqytetit, mungesën e infratrukturës apo të hapësirave argëtuese, taksat e larta dhe varfërinë.

“Lagjet kanë dekraduar, infrastruktura mungon thuajse tërësisht, rrugët dhe trotuaret janë pothuajse inekzistente, zhvillimi i pronës private të autoktonëve është në tërësi një fantazi e parealizuar, varfëria është ulur këmbëkryq megjithëse këto lagje bartin pasurinë shpirtërore më të madhe të qytetit”, tha Basha.

Sipas zotit Basha problemi kryesor i Tiranës është se bashkia nuk degjon problemet e qytetarëve të saj dhe as nuk ka vullnetin për t’i zgjidhur ato.

 

PS, akuza Lulzim Bashës

Ndërkohë, Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Eduard Shalsi ka akuzuar Lulzim Bashën për korrupsion në rrugën Durrës-Kukës dhe për vrasjet e 21 Janarit.

“I tha të vidhte Rrugën e Kombit, dhe Luli i nënshtruar e bëri dhe së fundi e urdhëroi për të vrarë dhe Luli vrau. E kemi parë të vijë vërdallë këto ditë nëpër rrugët e Tiranës ndërkohë që nuk dimë se ç’porosi i ka lënë Saliu. E pamë dje të merrte bekimin e Metës së video dhe të Mediut të Gërdecit, por nuk dimë se ç’porosi i ka lënë Saliu”, tha deputeti socialist, Eduard Shalsi.

Top Channel