Sarkozy: Nuk i pranojmë vrasjet

25/03/2011 17:05

Në mes të samitit europian, si rrallë ndonjëherë, Nicolas Sarkozy foli në një konference për shtyp ku përmendi dhe ngjarjet në Siri, ku numërohen qindra të vrare nga protestat kundër regjimit që vijojnë prej 15 marsit, vecanërisht në jug të vendit.

“Ne do të jemi gjithnjë në krahun e popullit që manifeston pa dhunë e që nuk mund të shtypen me dhunë. Në cdo demokraci mund të ketë manifestime, ndonjëherë të dhunshme, për fat të keq. Por në asnjë demokraci ne nuk mund të tolerojmë mobilizimin e ushtrisë që të qëllojë me plumba të vërtetë kundër protestuesve. Ky është qëndrimi francez dhe ky nuk ndryshon ndaj cilitdo vend që do të bëhej fjalë”, deklaroi Sarkozy.

Në përfundim të samitit, i pyetur nga Top Channel se a vlen kjo deklaratë edhe për një vend anëtar të NATO-s sic është Shqipëria, ku më 21 janar katër manifestues u vranë me plumba të vërtetë, të qëlluar në kokë dhe në kraharor, dhe se a vlejnë katër jetë në Shqipëri më pak se qindra jetët e vendeve arabe, presidenti francez u përgjigj:

“Nëse pyetja është se a ka një jetë, qoftë ajo në Shqipëri apo në Siri, më shumë apo më pak vlerë, përgjigja ime është e thjeshtë, jeta ka të njëjtën vlerë dhe parimet vlejnë njësoj. Por mbrëmë, natën, ne u përqëndruam në atë që ju vetë e quajtët pranvera arabe dhe revolucionet arabe dhe në këtë kuadër u desh ti përgjigjem pyetjeve dhe të saktësoj opinionin tim njëosj siç e kishte bërë dhe ministri i shtetit, Alën Zhype. Por është evidente se nëse ndodh ose nëse ka ndodhur njësoj në Shqipëri deklaratat e mia do të ishin fiks të së njëjtës natyrë”.

Sarkozy vazhdon të udhëheqë bashkë me trupat e koalicionit operacionet e goditjeve në Libi, ndërsa 28 vendet aleate të NATO-s, përfshirë Shqipëria, vendosën sot me konsensus që Aleanca të drejtojë dy operacionet e tjera, ruajtjen e bllokimit të hapësirës ajrore mbi Libi dhe ruajtjen e embargos së armëve për vendin.

Top Channel