Parlamenti i ri, PS akuzon Topallin

25/03/2011 15:40

Shpallja e projektit fitues të Parlamentit të ri ka celur një debat politik në Shqipëri.

Pas bërjes publike në gazetën “Tema” të një artikulli në një gazetë vjeneze që në datën 12 mars, ku citohej emri i arkitektit Wolfgang Prix si fitues i projektit për ndërtimin e Parlamentit të ri të Shqipërisë, Partia Socialiste ka akuzuar kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se ka zhvilluar një konkurs të paracaktuar, duke shpenzuar 100 mijë euro nga fondet publike.

“Ky është artikulli, këtu shpallet emri i Wolfgang Prix. Fituesi paska qenë i paracaktuar. Shpenzimet janë para të hedhura dëm. 50 mijë euro vetëm për reklamat, 50 mijë euro për të reklamuar gjoja votimin në internet, për dikë që ishte zgjedhur. Gjithashtu, 2 milionë euro janë shpenzuar për piramidën dhe 700 mijë euro për sallën e Parlamentit”, ka deklaruar deputeti i PS, Taulant Balla.

Në gazetën vjeneze thuhet se kostoja për ndërtimin e Parlamentit të ri do të shkojë në disa qindra milionë euro, dhe ku është parashikuar ndërtimi i një apartamenti luksoz për kryetaren e Kuvendit.

Deputeti Balla ka bërë një përmbledhje të shpenzimeve të kryera deri më tani për projektet mbi rikonstruksionin e piramidës, por edhe të Parlamentit.

“Sikur të mos mjaftonin 2 milionë euro për të transformuar QNK-në në teatër, para që një zot e di ku kanë përfunduar, sikur të mos mjaftonin 700 mijë euro për rikonstruksionin e sallës aktuale të Parlamentit të Shqipërisë, kjo pjesëtare e këtij regjimi shpenzon qindra miliona euro për ndërtimin e një Parlamenti të ri, ku do të përfshihet edhe një apartament luksoz për kryetaren e Kuvendit”, ka deklaruar Balla.

Por pas akuzave të opozitës, kryetarja e Kuvendit ka reaguar përmes një deklarate dhe i cilëson të gjitha akuzat ndaj saj të gënjeshtërta fund e krye.

“Kryetarja e Kuvendit gjen rastin të informojë publikun se deklarata e radhës e zëdhënësit të shokut Rama është një gënjeshtër, jo vetëm në çdo fjali, jo vetëm në çdo fjalë, por në çdo germë dhe shifër të saj”, thuhet në deklaratë.

“Taulant Gjura gënjen për gjithçka në lidhje me rikonstruksionin e sallës së seancave plenare, gënjen për apartamentin, gënjen për  reklamat, gënjen për votimin në internet”, thuhet më tej në reagimin e zyrës së shtypit të Kuvendit.

Zyra në fjalë deklaron gjithashtu se artikulli i “Wiener Zeitung” është transformuar, cka sipas deklaratës, nuk e zbeh aspak transparencën dhe suksesin e këtij procesi.

Artikulli i “Wiener Zeitung”

Gazeta shkruajti ne 12 mars emrin e Wolfgang Prix

Por si është e vërteta e artikullit të “Wiener Zeitung”? I gjithë debati zhvillohet për paragrafin e fundit të artikullit, që është ai që ka ngritur dyshimet se fituesi i konkursit ishte paracaktuar që në datën 12 mars dhe jo në 24 mars.

Kryesia e Kuvendit deklaroi se ka vënë në dispozicion në faqen elektronike të Parlamentit artikullin origjinal dhe përkthimin sipas Kuvendit.

Në paragrafin e fundit sipas Kuvendit thuhet: “Me që ra fjala, parlamenti i ri dhe modern do të ndërtohet si do që të jetë. Në Shqipëri, sic duket, politika është më e guximshme. Arkitekti quhet Wolfgang Prix”.

Top Channel ka mundur të sigurojë një kopje të gazetës të datës 12 mars dhe në artikullin me titull ironik “Do të duhej të ishim në Shqipëri” për një debat që po zhvillohet edhe në Vjenë edhe atje për shpenzimet për rikonstruksionin e Parlamentit, në paragrafin e fundit thuhet fjalë për fjalë dhe shprehimisht:

“Tirana do të ketë në të ardhmen një parlament më modern dhe të avancuar se Vjena. Parlamenti supermodern gjithësesi do të ndërtohet. Edhe pse në Shqipëri, sic duket, politika është më e guximshme. Arkitekti quhet Wolfang Prix”.

Pavarësisht përshtatjes që mund t’i jetë bërë fjalive në përkthimin, fjalia e fundit është e njëjtë, ajo tregon se arkitekti i parlamentit të ri që do të bëhet është Wolfgang Prix.

Debati për piramidën po vijon prej disa mujash, por Edhe pse arkitektë, mbrojtës të trashëgimisë kulturore, aktivistë të shoqërise civile, përfaqësues të botës akademike, por edhe të kulturës, si dhe qytetarë të thjeshtë shprehën mendin kundër prishjes së godinës së piramidës, mazhoranca ka vijuar me planin për shembjen e saj dhe ndërtimin atje të parlamentit të ri.

Top Channel