Krujë, tritol shtyllës elektrike

25/03/2011 16:10

Një sasi eksplozivi është vendosur në linjën e tensiont të lartë 1100 kilovolt, e cila furnizon me energji elektrike dy fabrikat e çimentos në Borizanë dhe në Fushë Krujë.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, eksplozivi është vendosur rreth një kilometër larg fabrikës së çimentos së Fushë Krujës, në lagjen Kadias.

Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur eksplozivin në dy këmbët e shtyllës së tensionit të lartë, duke i këputur ato.

Policia e Krujës ka shoqëruar mbi 30 persona për këtë ngjarje. Ndërkohë që brigada e avarisë që merret me ndërtimin e linjave të tensionit të lartë ka punuar gjatë gjithë natës për mbajtjen në këmbë të shtyllës, pa ndërprerë furnizimin me energji, ndërsa po kryen edhe riparimin e dëmit të shkaktuar.

Ky është rasti i gjashtë që hidhen në erë shtylla tensioni të lartë në Kruje, disa persona janë ndaluar por ende nuk është gjetur autori i këtyre akteve të përsëritura.

Top Channel