“Gjenitë” e medaljeve të arta

25/03/2011 19:40

“Gjenitë” e universiteve tona, ata studentë që rivalizojnë për të fituar medaljen e artë, u vizituan sot nga emisioni i pasdites në Top Channel.

”Jam në vitin e tretë të shkollës së lartë dhe kam mesataren 9,98. Mendoj se kur je një studente e përkushtuar, të cilës i pëlqen të studiojë, përse të mos synosh të marrësh më të mirën që ofron sistemi i studimit.

Më vjen keq që kam një nëntë të vetme, e cila më ka prishur pak mesataren, edhe pse kjo nuk është më e rëndësishmja”, thotë Fabiola, një prej atyre që mund të konsiderohen si “gjenitë” e kombit.

Fabiola është një nga juristët e ardhshëm, e cila kërkon më të mirën për të arritur tek më e mira. Ajo është një nga pretendentet kryesore për të qenë pjesë e studentëve të ekselencës. Por, pavarësisht se vështirësitë janë të shumta, ajo ka një pikësynim: Perfeksionizëm.
Por, jo çdokush është kaq i prirur për të qenë i shkëlqyer në çdo lëndë të degës që ka zgjedhur për të qenë në të ardhmen profesioni i jetës së tyre.

Çfarë do të thotë që për katër vite me radhë të koleksionosh vetëm dhjeta në çdo përballje me provimet apo pyetjet në auditor?

Si mund të ndërtohet një ngrehinë kaq perfekte dhe çfarë ndodh kur këtë uniformitet e prish një imperfeksion i vogël? Një gabim diku? Një nëntë? Ja si e ka përjetuar studentja jonë nëntën e vetme që ka marrë dhe që shumë shpejt do të tentojë t’a ndryshojë.

“Nota ime e parë, në Drejtësinë Romake ishte dhjetë dhe kjo tregoi se ishte një nisje e mbarë për të gjitha. Rezultatet që kanë vijuar notën time të parë kanë qenë të mira dhe unë jam shumë e kënaqur për këtë.

Megjithatë, në një moment morra një vlerësim jo shumë të mirë dhe kjo nuk më bëri të ndihesha mirë. Gjithsesi, shpresoj që shumë shpejt të jem në gjendje t’a përmirësoj. Për mua, medalja e arit është një vlerësim i të gjithë asaj që kemi kaluar dhe kjo do të më bënte të ndihesha shumë mirë. Shpresoj shumë që të jem pjesë e këtij vlerësimi“.

Vullneti, durimi dhe studimi sistematik janë elementët kryesorë për një përfaqësim dinjitoz dhe përkushtim maksimal të studimeve. Më vonë, kjo mund të jetë pikënisja për fillimin e një karriere të suksesshme në të ardhmen.

Ndonëse ka nga ato profesione, ku medalja e arit është një vlerë që të jep përparësi në krahasim me aplikantët e tjerë për një vend pune, ka edhe nga ata që nuk janë matur pothuajse asnjëherë me metrin e diplomantit të shkëlqyer.

“Në vitin 1995, kur unë fitova medaljen e artë, ishte një kriter i detyrueshëm që të gjithë notat të ishin 10, ndryshe nuk mund të fitoje“, deklaroi pedagogia Iris Luarasi.

“Atëhërë nuk kemi marrë ndonjë medalje ari që të mund të varej në qafë dhe të tregohej, por kemi vetëm marrë një tip diplome.  

Megjithatë, nuk mund të ankohem shumë sepse na kanë përfshinë në listën e studentëve të ekselencës dhe kemi pasur disa përfitime të vogla financiare.

Për fat të keq, në të gjithë aplikimet që bëra më vonë për punë dhe në të gjithë ambientet ku shkova, asnjëherë nuk më kërkuan një listë notash dhe ky ishte një pikëllim i madh për mua.

Medalja është një nderim dhe është një nderim i madh, por ata që nuk ia dalin dot mbanë nuk kanë përse të vrasin shumë mendjen për këtë“.  

Ashtu siç ka çdo fushë vështirësitë dhe avantazhet e saj, ashtu pasqyrohen edhe vështirësitë e studentëve në proces mësimor, që detyrë të vetme në këtë periudhë kanë studimin.

“Në periudhën time si një studente e Fakultetit të Drejtësisë kam njohur disa vështirësi dhe nëse do t’i rendisja, vështirësia kryesore do të ishte mungesa e literaturës cilësore.

Një tjetër problem është që disa cikle mësimore, disa lëndë të rëndësishme, i zhvillojmë në një periudhë të shkurtër, të pamjaftueshme duke patur parasysh rëndësinë e lëndës.

Në fund të sezonit, mund të japësh provim një lëndë dhe të marrësh një notë shumë të mirë, por që gjithsesi kuptuan se ende nuk e ke përvetësuar si duhet të gjithë lëndën“, deklaroi Fabiola.

Por, çfarë është medalja e artë? Në sistemin arsimor shqiptar, medalja e arit i jepet gjimnazistëve me të gjitha 10 dhe i njëjti kuptim ruhet edhe për shkollat e larta, ku studentët përfitojnë edhe nga fondi i ekslencës“.

“Për studentët është përcaktuar një fond i ekselencës, ku jodomosdoshmërisht duhet të jenë të gjitha notat 10, ndërsa në shkollat e mesme ky është një kusht i detyrueshëm“, deklaroi Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Edhe pse më pak se më parë, Shqipëria ende vazhdon të prodhojë medalistë të artë në arsim. Por, çfarë përfiton ai që arrin në destinacion me diplomën e tij të shkëlqyer dhe pa asnjë nëntë?
”Duke I patur të gjitha 10, kam përfituar dhe jam zgjedhur nga ambasada si një nxënëse që ka bërë disa trajnime në SHBA, kam kryer disa studime, trajnime lidershipi, etj”, thotë njëra prej studenteve më të dalluara.

Nëse dikur, në Shqipërinë me kufizime në dhënien e të drejtave të studimit një medalje e artë ishte viza për të zgjedhur degën e dëshiruar,  tashmë, një diplomë e tillë nga shkolla e mesme mbetet ende në kuadrin e stimulit moral për brezin e ri.

Ndërsa një diplomë universitare e shkëlqyer, edhe pse ka përpjekje për t’u përfshirë në projekte që synojnë t’u japin përkrahje mbajtësve të tyre, është ende thjesht një rresht më shumë në CV-të e aplikantëve të panumërt për punë.

Top Channel