Rama: Mungesa e drejtësisë, e keqja më e madhe

24/03/2011 21:45

Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në “Top Story” në Top Channel, e konsideroi mungesën e drejtësisë si problemin kryesor me të cilin përballet vendi.

Në të njëjtën kohë, ai e cilësoi gjendjen aktuale si dramatike, pasi vështirësive ekonomike që “kjo qeverisje i ka shtuar shqiptarëve”, i është shtuar edhe mungesa e lirive demokratike dhe shtypja.

”Situata në vend është më e rënda që vendi përjeton. Mund të krahasohet vetëm me situatën e viteve të fundit të rrënimit të regjimit të Saliut të parë.

Është e rëndë situata nga ana demokratike, e drejtësisë dhe ajo ekonomike. Shqiptarët kanë problemin e madh të pafuqisë blerëse. Saliu nuk akuzon prokurorinë për njëanshmëri, por shpërdoron më mënyrën më skandaloze jo vetëm detyrën, por edhe opinionin publik pasi e cilëson kryeprokuroren si lavire”, theksoi Rama.

”Unë jam si të gjithë qytetarët e vendit, i tronditur për gjendjen e drejtësisë në vend. Tre vjet pas ngjarjes në gërdec nuk ka asnjë fajtor dhe drejtësia është gjunjëzuar para presionit mafioz të Saliut, që ka interesa familjare për të mos lejuar hetimin deri në fund.

Jam i shqetësuar edhe për vdekjen e një deputeti të Partisë Socialiste, për vdekjen e kryekomunarit në Kukës, që është vrarë edhe ai”.

Për liderin e Partisë Socialiste, situata pas 21 janarit është bërë më dramatike se kurrë. “Vijmë tek 21 janari, tek ata burra që dolën në rrugë për të kërkuar largimin e këtij pushteti të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë”, deklaroi Rama.

”Largimin e këtij pushteti që më 28 qershor u riciklua, duke përmbysur rezultatin për të vjedhur dhe për të synuar që ta bëjë këtë edhe në vjedhjet e radhës”.

Duke i uruar shërbim sa më të shpejtë Ministrit të aksidentuar të Shëndetësië, Zotit Vasili, Rama ironizoi me faktin se atij iu desh të merrte ndihmën e parë në një spital privat dhe jo në atë shtetëror.

” Po ata që presin të kurohen në spitalet publike, çfarë bëjnë?”, pyeti Rama. “Marrin me vete çarçafë, rroba, para. Është sistemi i korruptuar dhe i pareformuar, i vënë në dispozicion të një politike ngastrash, i ndarë mes Berishës dhe Metës për të thithur paratë.

Duhet tërësisht të transformohet, pasi ky është problemi i vërtetë i Shqipërisë. Ky pushtet po përpiqet të vënë nën thundrën e tij edhe pushtetin mediatik”.

Top Channel