Kaosi me listat e zgjedhësve

24/03/2011 20:00

Listat paraprake të shpallura për zgjedhjet e 8 majit kanë emrin, mbiemrin, atësinë, datëlindjen e votuesit, si dhe adresën shifrore zgjedhore ku një prej tyre është kodi i ndërtesës ku banon votuesi.

Një pallat i vjetër në formë L-je tek tregu cam ka kodin 025. Ne lista rezulton të ketë 8 banorë të rinj të cilët askush nga banorët e vjetër nuk i njeh si komshinj.

“Jam banore e vjetër dhe këta emra që thoni ju, Erjon Qamili, Orges Qamili, etj, nuk i njoh. Këtu janë banorë të vitit ‘83 dhe nuk është transferuar asnjë. Nuk ka as me qera, këshut që…”, shprehet një banore e pallatit.

“Të gjithë njihemi në këtë pallat, kemi 33 vjet këtu. Nuk njoh as Lorena Cullufe, as Ylli Farruku, asnjë tjetër”, deklaron një banore tjetër.

Zona ku ndodhet ky pallat administrohet nga minibashkia numër 10. Nënkryetari i saj shpjegon se këta qytetarë janë të regjistruar, por mund të kenë lëvizur.

“Afati i kësaj kontrate është njëvjecare, prandaj qytetari mund të lëvizë. Personi X që citoni ju është banor i kësaj njësie, por rezidenca mund të ketë lëvizur. Këto janë iniciativa të individit”, sqaron Eduard Kelmendi.

U interesuam të gjenim adresën e saktë, që do të thotë rrugën, nurmin e pallatit dhe të apartamentit me të cilin janë regjistruar 8 banorët e rinj, por zoti Kelmendi sqaron se kjo nuk lejohet pasi ka të bëjë me privatësinë e qytetarit, të drejtë që e ka vetëm Drejtoria e përgjithshme e gjendjeve civile.

Top Channel