Cani: BSH ka humbur parashikimin

24/03/2011 16:35

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani thotë se banka qëndrore ka humbur parashikueshmërinë duke mos ndërhyrë në kohë.

Zoti Cani i referohet disa rasteve, ku më i fundit është vendimi për rritjen e normës bazë, që sipas tij është shumë i vonuar.

“Sot e dinë të gjithë shqiptarët që e vuajnë në kurriz. E dinë mirë se inflacioni ka dalë jashtë kontrollit sepse e kanë në kurriz. Banka mund t’i kishte paraprirë. Ndërhyrja mund të ishte bërë që në verë, kur u dhanë sinjalet e para nga Banka Botërore”, deklaron Cani.

Këshilli mbikëqyrës i bankës vendosi një ditë më parë ta rrisë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Por a është e mjaftueshme kjo rritje për të përmbajtur presionin e cmimeve.

“Në Shqipëri që të ketë efekt duhet të jetë tek 0.5 për qind, që do të ishte e preferueshme. Në letrat me vlerë të reflektohet më shpejt, në një masë më të ndjeshme, ndërsa në kredi e depozita ndikimi do të jetë i pamjaftueshëm”, sqaron Cani.

Zoti Cani mendon se konjuktura që ofrojnë tregjet botërore dhe zhvillimet e pritshme në Shqipëri nuk premtojnë optimizëm për ecurinë e cmimeve dhe buxhetet e familjarëve.

“Perspektiva e cmimeve është se sivjet do të jetë problematike dhe flasim për dy artikuj bazë, ushqimet dhe nafta. Shiritat që do priten dhe premtimet që do mbahen nuk do të bëjnë gjë tjetër vetëm sa do të fusin spiralen e rritjes”, thekson Cani.

Tregjet ndërkombëtare po përballen prej disa muajsh me rritje të forta të cmimeve për lëndët e para dhe ushqimet. Kjo situatë u reflektua shumë shpejt në tregun e brendshëm ku shifra zyrtare e inflacionit kërceu në 4.5 për qind në shkurt.

Top Channel