Tirana në 20 vitet e fundit, përveç zhvillimit ekonomik, atij demografik e kulturor, ka pësuar një transformim të madh shpirtëror e fetar, të ilustruar në Top Channel nëpërmjet kronikës së emisionit të pasdites. 

Kryeqyteti i shqiptarëve, i shpallur i tillë në vitin 1920,  kur numëronte vetëm 17 mijë banorë, e pësoi rritjen më të madhe të popullsisë  pas viteve `90, atëherë kur numri i banorëve nga lëvizjet e pakontrolluara demografike u rrit në 250 mijë.

Dyndjet masive bënë që Metropoli shqiptar të numëronte në janar të 2010-s mbi 800   mijë banorë, të besimit musliman, ortodoks, katolik, bektashi, të sekteve të tjera apo ateistë.

20 vjet më parë, Tirana kishte vetëm tre objekte kulti, xhaminë e Et`hem Beut, kishën e Shën Vangjelizmoit dhe atë të Prokopit.

Sot, Tirana e një shteti laik numëron më shumë objekte religjoze: tre të besimit  musliman, katër të besimit katolik e ortodoks.

Në Tiranë, gjithashtu gjendet edhe Kryegjyshata Botërore e bektashinjve, e ngulmuar këtu prej vitit 1925, atëherë kur bektashinjtë u përzunë nga Turqia.

Në mesin e polemikave për ndërtimin ose jo të një objekti tjetër kulti, e kur dyshohet për profilin që mund të prezantojë kryeqyteti ynë në boten e qytetëruar, sociologu Artan Fuga dhe historiani Ferit Duka ndajnë qëndrime të përbashkëta, të argumentuara ndryshe:

”Shoqëria jonë ka nevojë për një fe që lidh traditën me aktualitetin dhe të ndihmojë në integrimin e individit në një botë me vlera të ulta, që shfaqet në agresivitet, cinizëm e egoizëm”, thotë Zoti Fuga.

Mendimi i tij plotësohet edhe nga ai i Dukës, i cili e konsideron diçka të tillë si “një nevojë të natyrshme të kohës”.

Kur bëhet fjalë për çështje të tilla delikate, ajo që ndihmon mendimin kundër është,  nese objektet e kultit përputhen me nevojat reale të një komuniteti me besim të caktuar.

Sipas shifrave të përfolura dhe jo zyrtare, numri i praktikantëve muslimanë në Tiranë  është 5% . Por, a janë të rëndesishme shifrat në këtë rast, apo çeshtja duhet parë me gjerësisht.

”Ndoshta kërkohen elementë të ekspertizës, demografisë, për të përcaktuar se sa është numri i besimtarëve që mund të shkojnë atje, sa kjo ndërtesë kryen një funksion apo sa është vepër arti”, thotë Fuga

Ende nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e objekteve të kultit në Shqipëri, por komunitetet fetare komunikojnë shifrat e tyre.

Duke i besuar statistikave të tyre, themi se së bashku me Tiranën, numri i përgjithshëm i objekteve të kultit arrin në 1757,  638  prej tyre janë xhami, pjesa tjetër kisha dhe tyrbe.

Një pjesë e tyre, me histori qindra-vjeçare, janë objekte të rikonstruktuara, te tjerat objekte që ndërtohen për herë të parë. Por, çfare sugjerohet për këto të fundit:

”Për mua, ajo që kë rëndësi është të jetë një arkitekturë e bukur, t’i qëndrojë kohës, të ndërtojë atë që quhet simbolikë fetare në një Tiranë e Shqipëri, ku ndërtimi dhe hapësira e ndërtuar lë jashtë mase për të dëshiruar”, shtoi Fuga.

Shtrirja gjeografike e objekteve të kultit është në gjithë vendin, sikundër ndodh edhe në Tiranë, dendësia e objekte variojnë sipas numrit të besimtarëve për çdo komunitet.

Objektet e besimit musliman nuk janë rikonstruktuar të gjitha, një pjesë e tyre janë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme. Dhe në këto rrethana, çfarë thonë historianët për kryeqytetin.

”Me ndërtimin e katedraleve dhe xhamisë së madhe, mbyllet një qark që nuk mund të ketë më pastaj hapje të këtij qarku.

Mbyllet ky qark, për ndërtimin e objekteve përfaqësuese të kultit. Pretendime të tjera për ngarkimin e urbanistikës me objektye të tjera do të ishte teprim e ekzagjerim”, deklaroi Duka.

Objektet fetare mbajnë në vetvete një mister, e bashkë me të edhe një pjesë te historisë sonë. Te veçanta për stilin e ndërtimit, gjatë shekujve ato kanë kaluar ulje-ngritjet e tyre, nga djegiet, persekutimet e deri tek braktisja. Popullimi i tyre, pavarësisht vjetërsisë, i bën ato të pavdekshme.

Top Channel