Gedafi: Në fund do triumfojmë ne

23/03/2011 00:15

Gedafi u rikthehet daljeve në publik. Koloneli ka folur para mbështetësve të tij në Tripoli me një gjuhë të ashpër kundër koalicionit perëndimor, e sidomos SHBA-së.

“Në fund do të fitojmë ne”, thotë Gedafi i shfaqur para mbështetësve në rrënojat e pallatit të tij të rrëzuar nga bombardimet e forcave aleate në kryeqytetin libian.

“Unë qendroj këtu me legjitimitet dhe nuk u druhem avionëve që mbjellin vdekje. Të manifestojmë të gjithë bashkarisht kundër kolonializimit. Bashkohuni me ne! Po përballemi me një agresion të padrejtë. Amerikanët dhe europianët janë nazistët e kohëve moderne”, tha para mbështetësve të tij Gedafi.

Më tej, në fjalën e transmetuar nga televizioni shtetëror, Gedafi hedh “dorashkën” për Perëndimin.

“Jemi gati për betejë, e shkurtër apo e gjatë qoftë, sepse kemi një mbrojtje ajrore të fortë. Ja Gedafi në mes të popullit! Populli është mbrojtja ime!”, tha koloneli.

Ndërkohë, pavarësisht optimizmit dhe gjuhës së kolonelit libian, sulmet mbi Libi vazhdojnë dhe liderët ndërkombëtarë të koalicionit po diskutojnë tashmë edhe modalitetet e përfshirjes së komandës së NATO-s në operacionet e ndërmarra kundër Gedafit.

Top Channel