PS: Berisha, 700 milionë për makinën

22/03/2011 15:55

Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Sali Berisha për abuzim me pushtetin, teksa duke qenë kryeministri i vendit më të varfër të Europës, blen me paratë e shtetit një makinë 700 milionë lekë, ose një autoblindë luksose, siç e cilësoi makinën e re të kryeministrit deputeti Taulant Balla.

“Sali Berisha u hoqi makinat policëve, prokurorëve, gjyqtarëve, institucioneve kushtetuese, gjoja për të kursyer nga shpenzimet e shtetit. Të gjitha këto mjete e para i këmbeu me një makinë të vetme, një autoblindë luksi për veten. Nga taksat e shqiptarëve, nga pasuria e përbashkët, me 700 milionë lekë është blerë ky autoblindë për kryeministrin e qeverisë me bllok në dorë. 700 milionë lekë për një bunker me rrota”, është shprehur Balla.

“10 mijë pensione për rehatin personal të Berishës, për të blerë bunkerin e tij lëvizës, ndërsa Shqipëria e shqiptarët vuajnë krizën ekonomike ku i ka hedhur ky pushtet kusarësh e vrasësish. Si ka mundësi që një kryeministër që pretendon se e ka zgjedhur populli me votë të lirë sot është peng i makthit të tij? Kurrë më shqiptarët nuk do t’i besojnë gënjeshtrave e turpeve të Kryeministrit kusar e vrasës. Sot më shumë se kurrë është e qartë se Saliu nuk është një kryeministër i një vendi demokratik, i zgjedhur me votë të lirë, por vetëm një autokrat që ka frikë nga populli. Kurrë më shqiptarët nuk do ti japin votën e tyre Sali Berishës”, theksoi ai.

Top Channel