PD shpall Bashën për Tiranën

22/03/2011 15:50

Ashtu siç ishte lënë të kuptohej, Partia Demokratike e zyrtarizoi kandidaturën e saj për Tiranën në përvjetorin e 22 marsit 1992, kur kjo parti erdhi për herë të parë në pushtet. (UPDATE)

Por shpalljen e kandidaturës së Lulzim Bashës nuk e bëri kryeministri Berisha, por anëtarja e Këshillit Kombëtar, Çiljeta Xhilaga.

“Ftoj në skenë kandidatin tonë për kryetar bashkie, zotin Lulzim Basha”, është shprehur Xhilaga.

Lulzim Basha përmendi anëtarësimin në NATO apo lëvizjen pa viza. Duke lënë të kuptohet se boshti i fushatës së tij do të jenë ato arritje të vendit, ku edhe ai ka dhënë kontributin e vet personal si ministër i Jashtëm apo i Brendshëm.

“Të arrinim tek lëvizja e lirë nuk ishte e lehtë. Keqinformimet nga vetë brenda vendit nuk mungonin. Ne kishim dhënë fjalën dhe unë së bashku me ju pata fatin dhe privilegjin të japë lëvizjen e lirë për shqiptarët evropianë”, theksoi Basha.

Kryeministri Berisha konfirmoi kandidaturën e ministrit të tij për Tiranën dhe shpalli premtimet e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme.

“Çiljeta i ka rënë pikës për kandidatin e shpallur. Përkrah tij jeni ju, janë endrrat tuaja, besimi juaj. Ju ftoj të mbjellim lulet e fitores, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për ju, për nënat, për baballarët, për motrat dhe vëllezërit tuaj”, tha Berisha.

Top Channel