Libia sërish nën bombardime

22/03/2011 23:25

Aleatët kanë nisur sërish bombardimet mbi Libi. Të shtëna kundër-ajrorësh janë dëgjuar në mbrëmje në Tripoli, mbi rezidencën e Muamar Gedafit. (UPDATE)

Televizioni shtetëror raporton se shumë zona janë bombarduar nga “kryqëzata armike”.

Situata mbetet e tensionuar edhe në Misurata, rreth 200 km në lindje të Tripolit. Një dëshmitar tha për BBC se besnikët e Gedafit dhe mercenarët u kanë vënë flakën depove ushqimore në jug të qytetit. Një mjek tha se pas bombardimit të qytetit nga forcat e kolonelit të paktën 22 persona humbën jetën dhe 100 të tjerë u plagosën.

Më herët avionët ushtarakë të koalicionit goditen një avion lufte të Gedafit në fluturim drejt Bengazit.

Aleatët nga ana e tyre janë futur në një diskutim mbi rolin që duhet të ketë NATO, por edhe për faktin nëse shënjestër e bombardimeve duhet të jetë edhe Gedafi.

Ndëkohë, një avion ushtarak amerikan F-15 Eagle u rrëzua në lindje të Libisë, në afërsi të fortesës së kryengritësve Bengazi, pas një problemi mekanik.

Ushtria amerikane përjashtoi se ai ishte goditur nga zjarri armik. Pjesëtarët e ekuipazhit përdoren parashutat dhe shpëtuan.

Sulmet ushtarake të forcave të koalicionit vazhduan për të tretën natë radhazi. Kundra-ajrore dhe shpërthime u regjistruan në Tripoli. Televizioni shtetëror raportoi se vendi është nën kryqëzatën armike dhe po bombardohet.

Top Channel