Pacolli: Të ngremë ekonominë shqiptare

21/03/2011 17:00

Zhvillimi ekonomik ka qenë kryefjala e fjalimit që presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka mbajtur para pak castesh në Parlamentin e Shqipërisë.

Pacolli është shprehur se, Shqipëria dhe Kosova duhet që sa më parë të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik, në mënyrë që të arrijnë sa më shpejt rezultatet e dëshiruara.

“Dua të shohim vetëm përpara dhe me vlerat e së kaluarës të krijojmë të ardhmen tonë, që do të jetë e ndritshme. I thërras ndërgjegjes tuaj kombëtare për të menduar pak, a duhet të kënaqemi me rezultatet e deritanishme në rrafshin ekonomik? Kemi pasur rezultate, por nuk duhet të kënaqemi. T’u hapim rrugë pistave të bashkëpunimit”, është shprehur Pacolli.

Duke vlerësuar maksimalisht investimin për rrugën Durrës-Morinë, kreu i shtetit kosovar ka theksuar se kjo rrugë duhet të shfrytëzohet më së miri për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.

“Ne mund të nderojmë paranë publike të harxhuar për rrugën e kombit, duke e mbushur atë plot e përplot me lëvizjen e njerëzve, ideve dhe mallrave. Ne duhet të prodhojmë më shumë zhvillim për qytetarët tanë. Duhet të qarkullojmë shumëcka, por këto pista të reja bashkëpunimi duhet të zhvillohen mbi një bazament të fortë”, ka deklaruar Pacolli.

Pacolli ka propozuar bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, jo atë territorial, por atë ekonomik duke krijuar lehtësira për bizneset e dy vendeve.

“Propozoj një takim preiodik përfaqësuesish të shteteve tona, ashtu sic bëjnë ata të vendeve të BE, si dhe mbajtjen e forumit ekonomik të bizneseve më shumë se dy herë në vit. Të rrisim kapacitetet energjitike, të kemi të njëjtat fatura për shkëmbimin e mallrave. Të zhvillojmë biznesin tonë aty ku gjendemi”, ka nënvizuar Pacolli.

“T’ia fillojmë punës, vendet tona janë në vonesë. Të fillojmë punën me vullnet të madh dhe suksesi do të jetë i garantuar”, ka shtuar ai para deputetëve shqiptarë.

Top Channel