Gedafi, vizionar apo diktator?

20/03/2011 20:35

Cili është Muamar Gedafi, lideri më jetëgjatë i botës arabe që ende përpiqet të sfidojë perëndimin?

Koloneli 68 vjecar, i cili erdhi në pushtet në vitin 1969, duket se kërkon të mbetet deri në fund një figurë kontraversale ashtu si gjithë liderët e tjerë autoritarë të epokës moderne.

Megjithëse ka shtypur me grusht të hekurt disidentët, udhëheqësi veteran tani me rezolutën e OKB-së, ka nisur të ndjejë vërtet presionin ndërkombëtar.

Muamar Gedafi u shfaq për herë të parë në skenën botërore në shtatorin e vitit 1969 kur drejtoi një grup oficerësh ushtarakë në grushtin e përgjakshëm të shtetit që rrëzoi mbretin Idriz. Mbreti i moshuar e sundonte ish-koloninë italiane që prej shpalljes së pavarësisë më 1951.

Shumë shpejt, Gedafi ambicioz do të niste shndërrimin e vendit të mundur nga varfëria, përmes formulimit të tij të tretë universale, një rrugë mes kapitalizmit dhe komunizmit.

Një nga barrat kryesore që rëndonte mbi supet e kolonelit ishte krijimi i forcave të armatosura, megjithatë duhet thënë se shpenzoi miliarda dollarë të ardhura nga nafta për të përmirësuar standartet e jetesës, cka e bëri mjaft popullor mes të vobektëve.

I frymëzuar nga ndjenjat nacionaliste arabe, Gedafi braktisi lidhjet me perëndimin për të ndjekur një tjetër synim, bashkimin e vendeve arabe. Prillin e vitit 1971 ai nxiti krijimin e federatës arabe me Sirinë dhe Egjiptin një iniciativë që do të shembej shpejt për shkak të mosmarrëveshjeve dhe akuzave të ndërsjellta.

Roli i tij qe vendimtar në organizimin e kundërshtimit arab ndaj marrëveshjes së Camp David në 1978 mes Egjiptit dhe Izraelit. Marrëdhëniet me Perëndimin, e sidomos me SHBA-në do të acaroheshin në maksimum në vitin 1980 kur Gedafi u gjend përballë akuzash për grabitje fondesh, vrasje dhe revolucione ndërsa këmbëngulte në të drejtën e tij për të mbrotjur lëvizjet nacionaliste-clirimtare. Kur avioni i Pan American shpërtheu mbi Lokerbi të Skocisë në 1988 duke vrarë 270 persona agjencitë e inteligjencës perëndimore nxituan ta drejtojnë gishtin nga lideri i Libisë.

Sanksionet e OKB-së, 4 vjet më vonë e gjynjëzuan ekonominë libiane, por jo frymën revolucionare dhe retorikën anti-kapitaliste dhe anti-perëndimore të Gedafit.

Vizionar apo diktator, stili i tij i cuditshëm, sic thotë Reuters, mbetet unik. 68 vjecari jeton në një kompleks të blinduar në Tripoli dhe shpesh e merr tendën me vete nëpër udhëtime.

Duke injoruar tërësisht traditat e shoqërisë konservatore libiane, Gedafi e ka rrethuar veten me truproje femra dhe shumë kanë arritur ta konsiderojnë si një rebel të botës arabe. I tillë duket se ka ndërmend të mbetet deri në fund, edhe në situatën ku ndodhet sot.

Top Channel