Tubim në Himarë kundër Bollanos

19/03/2011 11:15

Qindra banorë të Vlorës, Dukatit si dhe shumë qytetarë të tjerë nga krahina e Labërisë do të protestojnë ditën e diel në Himarë.

Arsyeja e protestës është se, në faqen zyrtare të Bashkisë së Himarës është shkruar se Dukati, Tragjasi, Radhima, Orikumi si dhe 30 fshatra të tjera të Labërisë janë me ndërgjegje kombëtare greke.

Organizimi i kësaj proteste bëhet nga Kuvendi i Dukatit. Pleqësia e këtij Kuvendi është mbledhur dhe ka vendosur që të organizojë një tubim paqësor, i cili do të nisë nga Orikumi, ditën e diel në orën 09:00, dhe që aty, me flamuj dhe pankarta në duar, qindra njerëz do të nisen për në Himarë, për të treguar se Dukati dhe fshatrat e Labërisë nuk janë me ndërgjegje greke, por janë shqiptarë.

Një nga organizatorët e protestës, anëtari i kryepleqësisë së Kuvendit të Dukatit, Edviol Kulluri, i tha dje gazetës “Shqip” se: “Ne kemi menduar të organizojmë këtë protestë për të kundërshtuar thëniet e fundit, se jugu i Shqipërisë është grek.

Po ashtu, edhe për Bollanon, i cili nëpërmjet faqes zyrtare të Bashkisë së Himarës që drejton, shkruan se Dukati, Radhima, Tragjasi dhe 30 fshatra të Labërisë janë me ndërgjegje kombëtare greke.

Ne si të rinj të Dukatit, me mbështetjen edhe të kryepleqësisë, që e miratoi propozimin tonë, vendosëm që ditën e diel të organizojmë një protestë paqësore dhe sensibilizuese që fillon në Orikum dhe përfundon në qendër të Himarës”.

Sipas Kullurit, është konfirmuar pjesëmarrja e qindra banorëve të fshatrave të Labërisë, por edhe të shumë banorëve të Shqipërisë së Veriut. Madje, sipas tij, pritet që një numër emigrantësh të udhëtojnë për në Himarë enkas për këtë protestë.

“Nga Orikumi do të nisen rreth 400 të rinj, dhe kur të mbërrijmë në Himarë do të protestojmë në mënyrë paqësore dhe mendoj se nuk do të kemi asnjë problem me banorët atje”, – tha Kulluri.

Në kuadër të këtij organizimi, në qytetin e Vlorës janë shpërndarë dje fletëpalosje që njoftonin për protestën e ditës së diel.

Në këto fletëpalosje bëhet thirrje për protestë, jo vetëm ndaj Bollanos, por edhe për të kundërshtuar regjistrimin e popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të kombësisë.

Por, megjithëse kanë organizuar në detaje protestën e së dielës, të rinjtë e Dukatit nuk kanë ende një përgjigje nga policia për garantimin e mbarëvajtjes së saj.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Vlorës bëjnë të ditur se, është duke u përgatitur një plan masash për të mos lejuar krijimin e incidenteve gjatë kësaj proteste, por nuk konfirmojnë nëse karvani i të rinjve do të lejohet të hyjë në qytetin e Himarës.

Ndërkohë, “Aleanca Kuq e Zi” ka vijuar dje mbledhjen e firmave për mendimin e ligjit të regjistrimit të popullsisë.

Në praninë edhe të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, krerët e Aleancës kanë organizuar dje një tubim në Korçë.

Top Channel