Tiranë, zhduket trafikanti turk

19/03/2011 15:40

Dy javë pasi shtetasti turk Abdulselam Turgut u la nga Gjykata e Apelit në arrest shtëpie në një apartament pa adresë, policia ka dështuar në gjetjen e tij.

Agjentët kanë gjetur edhe ndërtesën që identifikohet me adresën “pallati tek Kthesa e Kamzës, kati i tetë”, por nuk kanë gjetur asnjë shenjë të turkut të kërkuar nga drejtësia gjermane për trafikimin e një ton heroinë.

Por, ndërsa të kontaktuar nga TCH, zyrtarë të policisë nuk konfirmojnë aspak nëse mos gjetja e tij mund të konsiderohet si arratisje, pjesëtarë të zyrës së Interpol në Tiranë shprehen se Turgut është rihedhur në listën e të shumëkërkuarve.

Një punonjës i zyrës së Interpol tha në telefon se në fakt, emri i Abdulselam Turgut është rifutur në listën e personave në kërkim që në ditën kur gjykata dha për të masën e arretsit shtëpiak për 40 ditë.

Kjo, pasi kur një agjent i zonës ka shkuar për të verifikuar nëse turku ndodhej në adresë, ai s’ka mundur të saktësojë se në cilën prej kateve të teta tek Kthesa e Kamzës banon shtetasi turk.

Punonjës të policisë së Tiranës dhe të komisariatit të Kamzës shprehen se ata kanë kërkuar dhe po kërkojnë ende nëpër apartamentet përreth zonës që njihet si Kthesa e Kamzës, por pa rezultat.

Abdulselam Turgut, 44 vjec, u la me arrest shtëpie nga Gjykata e Apelit, ndërsa gjykata e shkallës së parë kishte dhënë më herët për të arrest me burg për 40 ditë, derisa Gjermania të sillte dokumentacionin për ekstradimin e tij.

Por, Gjykata e Apelit arsyetoi mes të tjerash në vendimin e saj, duke thënë se arrestimi i Abdulselman Turgut nuk mund të zbatohet në Shqipëri, pasi Shqipëria nuk është anëtare e BE-së. I rënë rastësisht në rrjetën e policisë shqiptare, tashme gjetja apo riarrestimi i Turgut është bërë një objektiv.

Top Channel