Arrestohet Paro Laçi

19/03/2011 20:25

Dy gjyqtarë dhe një president futbolli shumë i njohur për peripecitë që kaloi ekipi I Partizanit, u arrestuan me akuzën e trukimit të ndeshjeve dhe fiksim të rezultateve pas një hetimi një vjeçar të Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Durrësit.

Zyrtarët janë vënë në pranga të shtunën rreth orës 19:00, ndërsa ndalimi i tyre u bë i mundur nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Task Forcë.

Mes tyre edhe Presidenti i ekipit të futbollit të Rubikut, Paro Laçi.

Mbi ta rëndon akuza e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, ndërsa kanë kryer edhe veprën penale të paracaktimit të rezultateve në garat sportive.

Të arrestuarit janë:
1. Paro Destan Laçi, vjeç 42, banues në Tiranë, me detyrë President i ekipit të futbollit të Rubikut
2. Edmond Gjergj Temali vjeç 42 banues në Shkodër
3. Agron Gjon Arusha, vjeç 36 banues në Velipojë Shkodër
4. Bledar Bashkim Kume, vjeç 25 , banues në Laç, Kurbin
5. Kozma Lazri Kule, vjeç 52 banues në Berat
6. Shkëlqim Jashar Balliu, vjeç 45, banues në Berat, gjyqtar sportiv.
7. Endri Ali Dimo, vjeç 20, nga Elbasani
8. Altin Mehmet Xhura, vjeç 34, nga Dibra, me aktivitet privat në fushën e tregtimit të gomave të automjeteve
9. Agron Faik Laçi, vjeç 34, banues në Tiranë

Sipas policisë, shtetasi Paro Laçi, në bashkëpunim me persona të tjerë, u kap në flagrancë, pasi kishte marrë një shumë prej 40 mijë euro në këmbim të premtimeve për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, për dhënien e një licence minerare në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu ky shtetas në bashkëpunim me personat e sipërpërmendur kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, me qëllim ndërmjetësimin në dhënien e pafajësisë për një të dënuar për vrasje nga gjykata e shkallës së parë Shkodër.

Gjatë hetimit dhe përgjimit, Prokuroria ka gjetur edhe prova për shkelje të tjera të ligjit.

Top Channel