Shkodër, ekzekutohen dy vëllezër

18/03/2011 12:10

Dy vëllezër nga fshati Grudë i Shkodrës, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi janë ekzekutuar mëngjesin e së premtes sapo kanë dalë nga banesa e tyre. (UPDATE)

Ata ndodheshin në automjetin e tyre kur u qëlluan për vdekje nga një breshëri automatiku. Ngjarja ndodhi rreth orës 7:30 minuta, në dalje të fshatit Grudë.

Autorët e kësaj vrasjeje të dyfishtë kanë mundur të largohen, ndërsa policia në vendin e ngjarjes ka nisur të marrë të dhënat për të identifikuar se kush qëlloi mbi Gjovalin dhe Tonin Pjetrushi, 31 dhe 25 vjec.

Sapo u mësua emri i viktimave, policia nisi të hetojë në lidhje me një pistë të mundshme të gjakmarrjes. Dy viktimat janë vëllezërit e Prel Pjetrushit, dikur oficer policie dhe shef i krimeve në Shkodër.

Ngjarja mendohet se ka lidhje me ngjarjen e vitit 2000, kur u vra ish-drejtori i policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari. Në atë kohë vëllai i dy viktimave ishte shef i krimeve.

Policia në 2 gusht të vitit 2000 organizoi një operacion për kapjen e shtetasit Bahri Tafili. Gjatë këtij operacioni mbeti i vrarë drejtori i policisë së Shkodrës, Arben Zulyftari, si dhe i kërkuari Bahri Tafili.

Po atë ditë, policia arrestoi shtetasin Genc Tafili nën akuzën e vrasjes në bashkëpunim si bashkëautor me babain e tij në vrasjen e drejtorit të policisë.

Më pas, në vitin 2001 ndaj shefit të krimeve Prel Pjetrushi është kryer një atentat ndërsa ai po hynte në banesën e tij, por ai mundi të shpëtojë.

Policia në vitin 2002 arrestoi shtetasin Admir Tafili, i akuzuar për këtë atentat. 8 vjet pas arrestimit Admir Tafili, pasi mori një leje nga burgjet për të vizituar të afërmit e tij, u arratis duke mos u kthyer më në burg. Kjo është pista kryesore që po ndjek policia, por ndërkohë nuk përjashtohen edhe pistat e tjera.

Top Channel