Rama: Qeveria po përgatit manipulimin

18/03/2011 14:15

Kryetari i PS, Edi Rama ka denoncuar në takimin e përjavshëm me gazetarët manipulimet që sipas tij qeveria po përgatit për zgjedhjet lokale.

“Në qytete të ndryshme të vendit u kërkohen nënpunësve të administratës të dhëna të cuditshme mbi kartën e identitetit, vendbanimet, etj, që krijojnë shumë shqetësime në fazën ku ndodhemi. Theksoj faktin se ka një përpjekje përditë e më evidente për të përfshirë në një mënyrë të organizuar dhe të jashtëligjshme rrogtarët e shtetit për nevojat e fushatës së pushtetit”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, në këtë manipulim po merr pjesë edhe KQZ, e cila nën drejtimin e kryetarit të saj po fotokopjon dokumente zgjedhore për t’i vënë në shërbim të kryeministrit.

“Ne kemi informacion të mjaftueshëm dhe të besueshëm se kjo nuk është e gjitha. KQZ është përfshirë në një operacion kriminal, duke fotokopjuar për nevojat e pushtetit dhe fushatës së tij materialet zgjedhore që iu mohuan publikut dhe opozitës. Ky është një veprim tërësisht i dënueshëm dhe përtej të dënueshmes kërcënon hapur zgjedhjet që kemi në prag. Dhe rinxjerr në pah fizionominë e kësaj KQZ-je të diskretituar deri në palcë”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, kryeministri dhe qeveria e tij do të përpiqen të përsërisin skenarin e zgjedhjeve të 28 qershorit, por opozita do t’i japë përgjigjen e duhur organizimit të këtij plani.

“Nuk presim që Saliu dhe oborri i kusarisë të lejojë shqiptarët të zgjedhin ata që duan. Por nga ana tjetër, ne jemi të vendosur të përgjigjemi në mënyrë adeguate ndaj këtij deformimi. Kjo përpjekje tregon përse u vodhën zgjedhjet e shkuara, sepse shqiptarët gjenden cdo ditë përballë skandalesh që kalojnë kufijtë e imagjinatës edhe për vetë një regjim kusarësh dhe që trajtohen nga regjimi si cështje që s’kanë të bëjnë me interesat e vendit”, është shprehur Rama.

Më tej ai ka prekur edhe cështjen e kontrabandës së naftës, e cila sipas tij drejtohet tërësisht nga kryeministri dhe “banda” e tij.

“Dua të nënvizoj cështjen e kontrabandës së naftës, që është një ngjarje brenda së cilës lexohet i gjithë regjimi. Rrugë të hapura për një bandë që qartësisht i shërbente këtij oborri dhe drejtpërdrejt Saliut. Prapa hekurave është banda që ekzekutonte procesin e kontrabandës dhe në tryezën e qeverisë janë orkestruesit dhe përfituesit me në krye Saliun”, ka shtuar Rama.

Top Channel