Amnistia, Bode takon grupet e interesit

18/03/2011 10:20

Ministri i Financave Ridvan Bode ka hapur para pak castesh një konferencë me përfaqësues të grupeve të interesit, që mund të përfitojnë nga amnistia fiskale.

Gjatë fjalës së tij, Bode ka deklaruar se janë krijuar një sërë kushtesh, si formalizimi i ekonomisë së tregut, për të cilat kjo nismë e qeverisë duhet të realizohet.

“Në kushtet kur vendi ka kaluar nga një ekonomi e skandalizuar në një ekonomi tregu, kur një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të emigrantëve ka ardhur në bankat tona dhe në bazë të kushteve të tjera, ne mendojmë se ka ardhur koha për të lancuar një iniciativë të tillë, për të shmangur fshehjen e të ardhurave para organeve tatimore”, ka deklaruar Bode.

Më pas ministri ua ka kaluar fjalën përfaqësuesve të grupeve të biznesit, për të dhënë opinionin e tyre mbi këtë nismë, që bëhet në prag të zgjedhjeve lokale.

“Amnistia fiskale është një cështje delikate. Duhet të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ekonomitë globale dhe të eleminojmë futjen e parave të pista dhe atyre që vijnë nga korrupsioni”, ka deklaruar kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Top Channel