Topi: Shqipëria respekton minoritetet

17/03/2011 12:25

Presidenti i Republikës, Barmir Topi ka deklaruar se Shqipëria dhe institucionet e saj respektojnë të gjitha të drejtat e minoriteteve në vend dhe regjistrimi i popullsisë do të bëhet në përputhje me lirinë e plotë të shprehjes.

Kreu i shtetit në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun maqedonas, George Ivanov, ka theksuar se  nuk do të lejohet që asnjë ultranacionalist ngado që do të vijë, të deformojë tendencën natyre në Shqipëri.

“Regjistrimi është një debat që realizohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Së pari Shqipëria, institucionet e saj janë shprehur për regjistrimin e popullsisë. Për këtë ka një kuadër ligjor që është realizuar në bazë të standardeve të BE-së, sepse një nga kërkesat që ka Shqipëria është plotësimi i kushteve për të marrë statusin kandidat. Në këtë temë e cila shoqërohet edhe me një debat publik, në të gjithë diskursin politik unë nuk kam dëgjuar njeri të thotë se jemi kundër regjistrimit, sepse shoqëria shqiptare me një përbërje mbi 95 përqind është projektuar me dëshirën për t’u integruar në BE”, është shprehur Topi.

“Ndjeshmëria e madhe publike dhe qytetare është sepse nga individë, nga apendikse të qarqeve ultranacionaliste, pavarësisht se nga cili vend apo shtet, tentohet që të hidhen parrulla, të bëhet një politikë presioni dhe deformacioni të një proçesi që duhet të jetë natyral. Kur themi se regjistrimi është i domosdoshëm, ai duhet të jetë në përputhje me të drejtën për t’u shprehur i lirë dhe për mos të qenë në presion, për interesa të caktuara financiare, politike dhe çdo qëllim tjetër”, theksoi lideri shqiptar.

“Të jeni të sigurtë se institucionet shqiptare e kanë në koshiencë të fortë këtë proçes. Do të inkurajojmë që regjistrimi të bëhet në liri të plotë të zgjedhjes, por nuk do të lejojmë që asnjë ultranacionalist ngado që do vijë të deformojë tendencën natyrore në Shqipëri. Sepse Shqipëria është e projektuar në mënyrë shumë të qartë në të gjitha interesat euroatlantike. Ne dëshirojmë fqinjësi të mirë. Është shumë e rëndësishme që politika shtetërore e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor shkon në linjë të mirë”, theksoi Topi.

Ndërkohë duke folur për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe incidentet e fundit me shqiptarët në Maqedoni, presidenti Ivanov ka deklaruar se disa njerëz të caktuar synojnë të lidhin gjithçka me përkatësinë etnike.

“Shkak nuk është Marrëveshja e Ohrit, pasi ajo është e vendosur në Kushtetutë. Ende në hapësirat tona kemi njerëz që bëjnë përpjekje të manipulojnë ndjenjat e njerëzve. Ndjekim një tendencë të disa personave që mashtrojnë njerëzit mbi bazën e përkatësisë etnike. Dhe në këto kushte çdo çështje problematizohet. Çështja të tilla duhet t’i zgjidhin institucionet”, theksoi Ivanov.

Top Channel