Kur shpërthente Gërdeci

15/03/2011 19:40

E shtuna e 15 marsit 2008 do të mbahet mend si dita e tragjedisë së madhe që u shkaktua nga shpërthimi i municioneve që demontoheshin në ish repartin e tankeve, vetëm 13 pak kilometra larg Tiranës.

Përtej fshatrave ku po ndodhte kjo tragjedi, fillimisht shpërthimet u konceptuan të paktën si një tërmet.

Por gjuha e flakëve dhe tymi i zi që pushtoi qiellin tregoi se një gjë e reëdë po ndodhte.

Gërdeci dhe fshatrat Marqinet 1 dhe Marqinet 2, që u rrafshuan komplet, ishin në qendër të një tragjedie e cila vrau 26 persona, punëtorë në fabrikën e demontimit e banorë përreth fabrikës dhe plagosi 300 të tjerë.

Paniku dhe arratisja nga fshatrat përreth ishte kryefjala e orëve të para të tragjedisë.

Dhjetra të plagosur tejmbushen spitalet në Tiranë. Të tjerë që kërkonin të afërmit e nuk dinin nëse i kishin gjallë apo jo.

Dhjetra të tjerë evakuoheshin, ndërsa shpërthimet vazhdonin ende. Në zonat përreth, bunkerët për herë të parë u shërbyen banorëve duke u shpëtuar jetën dhjetë personave që u fshehën.

Nata e parë pas tragjedisë do të ishte më e rënda, edhe pse daljet zyrtare ishin të herëpashershme, askush nuk mund të thoshte cilat ishin dëmet e vërteta dhe humbjet totale.

Përveç të vrarëve e të plagosurve në total raportohet se nga ajo ditë u prekën 10 mijë banorë dhe u dëmtuan mbi 5 mijë objekte dhe që për të rikuperuar dëmet qeverisë i është dashur të shpenzojë një kosto prej 30 milionë dollarësh.

Pak ditë pas tragjedisë, 29 persona përfunduan nën akuzë dhe ende sot drejtësia nuk ka dhënë drejtësi.

Ndërkohë që Gërdeci, një fshat që nuk njihej përtej gardheve të shtëpisë së tij, për shkak të tragjedisë dhe padrejtësisë që e pasoi, është sot i njohur ndërkombëtarisht më shumë se vetë Tirana.

Top Channel