Nafta, TIA: Institucionet ende të dobëta

14/03/2011 19:30

Organizata Transparency International vlerësoi arrestimet e tregtarëve të naftës si përpjekje për të goditur trafiqet dhe për të vendosur rregull në biznesin e hidrokarbureve, ku çmimet kanë dalë jashtë çdo kontrolli dhe garancie mbi cilësinë.

Përfaqësuesi i kësaj organizate në Shqipëri, Lutfi Dervishi, deklaroi për VOA se, kontrabanda që dyshohet se bënin të pandehurit është revoltuese për shumë arsye.

“Kjo skemë kontrabande tregon se një seri institucionesh shtetërore nuk funksionojnë dhe se sektori i antikrimit ekonomik të prokurorisë ka shumë punë për të bërë”, deklaroi Dervishi.

Ai tha se, një hetim gjyqësor i thellë duhet të nxjerrë në dritë shkaqet se përse nuk u kapën këta kontrabandistë nga Inspektoriati i cilësisë së hidrokarbureve, pse nuk u zbuluan ata nga forcat e rendit publik, nga tatimet, nga doganat dhe nga institute të tjera të kësaj fushe, apo nga organizata biznesi.

Përfaqësuesi i TIA theksoi më tej se është e nevojshme që hetimi të përfshijë jo vetëm veprimet e këtyre personave të arrestuar, por edhe të atyre që i favorizuan në çdo hap.

Po ashtu, në sferën e këtij e hetimi, sipas Transparency International, janë abuzimet e konsiderueshme financiare me çmimet e karburanteve, mashtrimi i klientëve, si edhe shkatërrimi i makinave dhe mjedisit nga nafta me cilësi të keqe.

Top Channel