
Teknikët janë duke u përpjekur të stabilizojnë një reaktor të tretë, disa orë pasi një shpërthim i dytë tronditi centralin atomik të Fukushimës.
Sipas asaj që lajmërojnë mediat ndërkombëtare, është bërë e mundur që reaktori i dytë të ftohet me ujin e detit, por ai qëndroi disa orë pa sistem ftohje pasi karburanti i gjeneratorëve të sistemit të ftohjes mbaroi.
Një shpërthim nuk mund të përjashtohet, pasi koha e mbetur pa ftohje ka bërë bërthamën e reaktorit të paqëndrueshme.
Si rrjedhojë e mbinxehjes, reaktori i tretë shpërtheu më parë gjatë ditës, ndërsa reaktori i parë kishte shpërthyer që ditën e shtunë.
Shqetësimi më i madh për specialistët është fakti që në reaktorin e dytë janë dëmtuar veshjet e jashtme.
Kjo e bën më të vështirë ftohjen dhe në të njëjtën kohë e bën pothuajse të sigurt ndotjen e mjedisit përreth dhe atmosferës me materiale shumë radioaktive, në rastin e një shpërthimi.
Autoritetet përjashtojnë për momentin mundësinë e një ndotje radioaktive, ndërsa ekspertët thonë se një katastrofë në përmasat e Çernobilit ka pak gjasa të ndodhë, pasi masat e sigurisë janë shumë më të mëdha.
Gjithsesi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës larguan nga brigjet e Japonisë një aeroplanmbajtëse, pasi zbuluan nivele të ulta radioaktiviteti 160 kilometra larg bregut.
Top Channel