Skema, vidhej 110 lekë për litër

12/03/2011 15:30

Biznesmenët e arrestuar një ditë më parë e blinin naftën e papërpunuar nga kompania ARMO. Këtë sasi më pas e deklaronin në doganë sikur e eksportonin drejt Italisë dhe Libisë.

Eskporti fiktiv bëhej me ndihmën e doganës përmes një deklarate të rreme. Nga kjo skemë sigurohej një përftim i dyfishtë i paligjshëm.

Së pari si eksportues të naftës ata nuk paguanin akcizën dhe tatimin mbi vlerën e shtuar.

Sot këto dy detyrime janë rreth 75 lekë për çdo litër nafte. Por në momentin që nafta shitej në tregun duke zbritur akcizën që paguhej për naftën e pastër vendase e përzier me naftë të pastër këto para shkojnë si fitim për bzinesin dhe jo në arkën e shtetit.

Përmes skemës së eksportit të rremë përfitohej edhe nga mashtrimi me cilësinë.

Naftë e papërpunuar nuk lejohet të shitet në tregun vendas. Por duke e deklaruar si eksport të rremë tregtarët e futnin në pikat me pakicë të shitjes së karburantit duke e përzier me karburant të pastër.

Nga kjo përzierje kostoja e një litri karburant ulej me 75 përqind për litër, por që çmimin e shitjes e kishte njëlloj si karburanti i papërzier me rreth 170 lekë për litër, duke marrë edhe nga kjo vjedhje rreth 100 lekë për litër.

Në total nga kjo manovër me eksportet e rreme për çdo litër të karburantit të pastër dhe atë “Vergine” se bashku përfitohej rreth 110 lekë për çdo litër të shitur.

Edhe pse deri më tani nuk ka të dhëna të sakta se sa është sasia e tregtuar përmes kësaj skeme mashtrimi në tregun e brendshëm, vjedhja llogaritet në dhjetëra milionë euro, para të cilat kanë arritur deri në nivelet më të larta drejtuese të qeverisë.

Top Channel