Amnistia zhbllokon 15-20 miliardë euro

12/03/2011 08:10

Biznesi shqiptar është më afër se kurrë zbatimit të amnistisë fiskale, e cila parashikon të sjellë për ekonominë miliarda euro të ardhura.

Në konferencën për shtyp, zhvilluar dje në kuadër të analizës dhe situatës së biznesit në tërësi, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka tha se, amnistia fiskale mund të gjenerojë shumë e më shumë para për ekonominë nga sa ishte menduar.

“Bëhet fjalë për shuma që shkojnë nga 15 deri në 20 miliardë euro, pasuri të fshehura në forma nga më të ndryshmet, por që nuk kanë lidhje me politikën apo me krimin e organizuar”, tha Jaka.

Kreu i Dhomës për Qarkun e Tiranës garantoi një proces gjithëpërfshirës të amnistisë fiskale, duke theksuar se paketa e propozimeve ka shkuar në Ministri të Financave dhe shumë shpejt do të nisin diskutimet konkrete.

Shuma e deklaruar nga biznesi konsiderohet tepër e lartë, sa 5 buxhete shteti të marra së bashku, por Dhoma e Tregtisë shton se në 20 vite ekonomie sipas parimeve të tregut të lirë, informaliteti ka dhënë efektet e tij negative dhe amnisti fiskale nuk është ndërmarrë asnjëherë, sikurse ndodh në vende të ndryshme çdo pesë vjet.

Top Channel