Zgjedhjet, PS: Kandidatët më 27 mars

11/03/2011 13:20

Ka përfunduar para pak castesh mbledhja asamblesë së Partisë Socialiste, në të cilën është diskutuar për emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur pas mbledhjes, deputeti Blendi Klosi ka bërë të ditur se emrat e kandidatëve do të caktohen më 27 mars.

Sipas Klosit, kriteret mbi të cilat do të zgjidhen kandidatët do të jenë integriteti moral dhe gatishmëria për të luftuar korrupsionin.

Përsa i përket bashkëpunimit me aleatët, deputeti socialist ka deklaruar se për këtë do të vendosë kryesia e Partisë Socialiste.

“Ne nuk mund të marrim vendime për aleatët, por do jetë kryesia e partisë që do vendosë për bashkëveprimin me ta”, ka deklaruar Klosi.

Ndërkohë, ai ka shtuar se opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj se zgjedhjet duhet të mbahen në një klimë tjetër, ku të mbizotërojë garancia për respektimin e votës.

“Vazhdojmë të insistojmë se zgjedhjet duhet të bëhen në kushte dhe në një atmosferë tjetër, ku qytetarët të jenë të sigurtë se vota e tyre nuk do të vidhet nga qeveria aktuale e Sali Berishës”, ka pohuar Klosi.

Top Channel