Dhuna ndaj komunitetit rom

11/03/2011 16:50

Barakat ku 45 familje rome jetonin deri para pak ditësh në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë, në qershor të vitit të kaluar, u vizituan edhe nga ish ambasadori amerikan Xhon Uithers i cili kërkoi vëmendjen e të gjitha strukturave për të ndihmuar këta njerëz në nevojë.

“Ka një plan veprimi në ndihmë të komunitetit rom dhe do të kërkoja vëmendjen e atyre strukturave për të bashkëpunuar së bashku në mënyrë që të përmirësojmë kushtet e tërë komunitetit”, është shprehur Uithers në atë kohë.

Pavarësisht projekteve dhe fondeve pikësëpari për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut e më tej për të integruar romët, ata kanë vijuar jetojnë në baraka në varfëri ekstreme.

Por edhe këto deri para pak ditësh, pasi një grup personash i sulmuan dhe i dëbuan, ndërsa ua dogjën kasollet dhe ato pak sende që kishin.

Pas publikimit në Top Channel të kësaj ngjarjeje, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, përmes një njoftimi bën të ditur organizimin e një mbledhjeje për të diskutuar këtë çështje.

“Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punës, Ministrisë së Brendshme, shërbimit social shtetëror, policisë së shtetit dhe komisionerit për antidiskriminimin e shoqërisë civile dhe organizatave rome, UNICEF-it dhe përfaqësues të komunitetit rom të shpërngulur. Të gjithë pjesëmarrësit njezëri dënuan ngjarje të tilla të dhunës, veçanërisht kur ato drejtohen ndaj individëve apo kominiteteve të veçanta duke u shprehur se dhuna me baza etnike, fetare, sociale, gjinore dëmton jo vetëm individin apo komunitetin, por edhe vetë shoqërinë”.

Por ndërsa Ministria e Punëve e Çështjeve Sociale dënon dhunën e ushtruar ndaj 45 familjeve rome, policia e Tiranës, nëpërmjet zëdhënëses, fton romët e dëmtuar të denoncojnë në polici.

“Theksojmë se, aktualisht nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, po kryejnë veprimet hetimore dhe proçeduriale për zjarrvënie dhe dëmtime të pronës së këtij komuniteti, ndërkohë që i fton këto të fundit të  paraqiten për të depozituar kallzim penal, pranë Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre veprimeve”, është shprehur zëdhënësja e policisë Alma Katragjini.

Por ja se çfarë thanë një ditë më parë për TCH vetë të dhunuarit.

“U dhamë emrat e personave që na dhunuan dhe policia nuk bëri asgjë”, është shprehur një prej banorëve.

Ndërkohë një njoftim i policisë shpërndarë mediave, përmban edhe kronologjinë e plotë të ngjarjes, ku rezulton se policia kishte marrë disa herë denoncime dhe kishte vepruar për katër net me radhë.

Sipas njoftimit të policisë, në datën 20 shkurt policia është njoftuar se tek barakat e romëve ka patur një konflikt.

Në vendngjarje kanë shkuar patrullat e policisë të cilat janë vënë në dijeni se një grup personash kanë dhunuar e keqtrajtuar romët e më pas u kanë venë flakën barakave, të pabanuara, sipas policisë nga romët.

Në datë 21, policia është njoftuar se në lagjen ku banonin romët ka patur sërish probleme, aty kanë shkuar forcat e policisë dhe romët u kanë shpjeguar konfliktin.

Në lidhje me këtë konflikt, sipas kësaj komunikate, atë natë janë shoqëruar 5 persona në polici si autorë të ushtrimit të dhunës.

Në datën 22 policia është njoftuar se një person nga familjet rome që banonte tek kjo lagje ndodhej i shtruar në Spitalin Ushtarak.

Policia ka shkuar tek i plagosuri e ka pyetur atë dhe familjarët e tij, por sipas komunikatës, ata nuk kanë dhënë shpjegime. Sërish policia është njoftuar për konflikt edhe në datën 23.

Policia nuk bën të ditur më tej se çfarë u bë me personat e shoqërua si të dyshuar për dhunën ndaj komunitetit rom.

Një ditë pas denoncimit publik të kësaj ngjarjeje, mëngjesin e të premtes, punonjës të ndërmarrjes së pastrimit të Bashkisë së Tiranës, kanë shkuar në sheshin ku jetonin romët për të pastruar ato që kishte lënë pa djegur zjarri.

Top Channel