Bashkimi Europian kërcënon vendet e Ballkanit Perëndimor se do të ndërpresë fondet për sektorin e energjisë, nëse ata do vazhdojnë të mbajnë pezull reformat për krijimin e tregut të përbashkët energjetik.

Në një raport të bërë publik një ditë më parë, Komisioni Europian, vëren se vendet jashtë bllokut të BE-së, ku bëjnë pjesë Shqipëria dhe ato të ish Republikës Jugosllave, nuk po i përmbahen detyrimeve që kanë marrë, kur nënshkruan traktatin për komunitetin energjetik në 2005-n.

Komisioni ka kërkuar që qeveritë të ndryshojnë sjellje dhe të ndërmarrin reformat për të liberalizuar treun e energjisë, që do të rriste konkurrencën dhe do të tërhiqte më shumë investime në këtë sektor.

BE i kërkon gjithashtu Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit të respektojnë pavarësinë e enteve rregullatore dhe t’u japin atyre pushtetin dhe burimet e nevojshme financiare për të garantuar mbikëqyrjen dhe përcaktimin e drejtë të çmimeve.

Në vitin 2005, qeveria shqiptare dhe ato të vendeve të rajoni nënshkruan në Athinë traktatin për krijimin e komunitetit europian të energjisë.

Qëllimi ishte krijimi i një tregu unik rajonal, që do i bashkohej më pas atij të Bashkimit Europian.

Kjo do të bënte të mundur që vendet të ishin të lidhura në një rrjet të përbashkët dhe të mund të tregtonin energji pa pengesa mes tyre.

Shqipëria është një nga vendet më pak të integruara në linjat rajonale të energjisë, çka u dëshmua edhe dy vjet më parë kur vendi përballej me thatësirën dhe KESH në atë kohë nuk mund të importonte dot energji për shkak të linjave të kufizuara.

Top Channel