Tiranë, racizëm ndaj romëve

10/03/2011 16:00

45 familje të komunitetit rom që jetonte pranë stacionit të trenit në Tiranë, janë dëbuar me dhunë nga vendbanimet e tyre dhe më pas barakave u është vënë flaka.

Romët tregojnë se jane dhunuar e dëbuar për katër netë me radhë nga civilë të armatosur. Ata thonë se kanë bërë denoncim, por policia nuk ka ndërhyrë.

Madje, burime policore thonë se banorët kanë ikur vetë si pasojë e një konflikti.

“Atë natë ne ishim në gjumë, ata erdhën dhe u futën në barrakë. Unë u cova kur shoh tropojanë me hekura dhe me armë. Tropojani më gjuajti me shkelma”, tregon një nga banoret e dhunuara.

“Erdhën ata djem dhe na rrahën e na dogjën barrakën. Ne s’kemi pasur asnjë sherr më parë”, thotë një banor tjetër.

Deklaratat e tyre përputhen me atë të bërë nga një dëshmitar, i cili pohon djegien e barrakave të romëve.

“Unë kam dëgjuar që i kanë kërcënuar natën me automatik dhe i kanë dëbuar që këtej. Më pas barrakat ua kanë djegur”, thotë ai.

Romët më pas janë shpërndarë në periferitë e Tiranës dhe në periferi të qyteteve të tjera si në Elbasan. Një organizatë britanike që mbështeste integrimin e këtij komuniteti ka denoncuar zhdukjen e banorëve dhe është vënë në kërkim të tyre.

Top Channel