Shqipëria, tjetër tregti të lirë

10/03/2011 15:50

Biznesi shqiptar mund të eksportojë pa tarifa edhe në tregjet e 4 vendeve europiane që nuk janë pjesë e BE-së.

Prej dy muajsh ka hyrë zyrtarisht në fuqi një marrëveshje e tregtisë së lirë që heq barrierat tregtare mes Shqipërisë dhe 4 vendeve të zonës EFTA, si Zvicra, Islanda, Norvegjia dhe Litenshtejni.

“Në vitin 2010 eksportet përbënin 4.2 për qind të totalit duke treguar potencialin për të eksportuar më shumë. Kjo marrëveshje do të krijojë më shumë mundësi për të rritur eksportet në vende të tjera”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Nasip Naco.

Në dy vjet eksportet shqiptare drejt 4 vendeve të EFTA-s janë rritur me mbi 15 herë, duke arritur në 50 milionë dollarë. Ambasadorja zvicerane në Tiranë, Ivana Enzler, tha se tregtia e lirë do jetë në përfitim të të dyja palëve.

“Vendet e EFTA-s kanë lidhje të shkëlqyera me Shqipërinë. Qëllimi i këtij seminari është te shoh mundësitë e reja se si bizneset shqiptare mund ta shfrytëzojnë sa më mirë këtë marrëveshje për të përfituar nga ajo. Sidomos ato të sektorit të bujqësisë, në të cilin Shqipëria ka një potencial të madh”, ka pohuar Enzler.

Shqipëria eksporton drejt vendeve të EFTA-s kryesisht produkte të industrisë së fasonit dhe importon makineri, duhan dhe produkte farmaceutike.

Top Channel