
Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, prezantoi sot një plan për ndryshimin e kushtetutës, në mënyrë që kompetencat më të mëdha në drejtimin e shtetit t’i kalojnë kryeministrit dhe parlamentit.
Në një intervistë televizive përpara kombit, Saleh lajmëroi se një referendum do të mbahet gjatë këtij viti, për të bërë të mundur ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Deklarata e Saleh mbërriti pas disa javësh protestash që kërkojnë largimin e tij nga pushteti pas 32 vitesh.
Nëpërmjet kalimit nga një shtet presidencial në atë parlamentar, Saleh synon të qetësojë zemërimin në vend, duke mbajtur njëkohësisht një rol të rëndësishëm në qeverinë e ardhshme.
Një tjetër premtim i rëndësishëm i presidentit të një vendi që përballet me luftën me Al-Kaedën dhe tendencat separatiste të disa krahinave është ai i ndarjes së degëve të legjislativit dhe ekzekutivit nga njëra-tjetra.
Top Channel