Balla: Me këtë KQZ, s’bëhen zgjedhje

10/03/2011 22:40

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, deputeti socialist, Taulant Balla zbardhi disa nga arsyet që shqetësojnë opozitën për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për pushtetin vendor më 8 Maj.

Zoti Balla ritheksoi se problem mbetet policia e shtetit dhe Komisioni Qendror Zgjedhor. Ai akuzoi mazhorancën dhe kreun e saj, kryeministrin Sali Berisha se po vendos pushtetin në shërbim të Partisë Demokratike për fitimin e zgjedhje.

“Zgjedhjet mbledhin mekanizma të ndryshëm. Për ta lidhur me tragjedinë e 21 Janarit shqetësim është edhe cështja e policisë së shtetit. Më 21 janar u vërtetua deformimi i Policisë së Shtetit. KQZ aktual nuk mund të administrojë një proces zgjedhor transparent, këtë e ka vërtetuar në cdo vendim-marrje, vendimi për vendet vakante në KZAZ nuk bazohet në ligj. Thelbi i këtij Kodi Zgjedhor ka qenë vendim-marrja, nuk ka vendim-marrje në KQZ me 4 anëtarë. Nuk ka përballje parti politike me pushtetin. Berisha do që pushtetit të vihet në shërbim të Partisë Demokratike për të fituar zgjedhjet. Që të ketë zgjedhje të lira duhe të konkurojnë partitë, jo pusheti me opozitën. Nëse Berisha mendon të përdorë të njëjtat mekanizma si para dhe gjatë 28 qershorit, në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme”, tha deputeti Balla.

Ndërkaq, për kreun e Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, Shqipëria vuan si shtet pasi i mungon pika më e madhe e garancisë, pushteti gjyqësor.

Top Channel