Topi: Respekt për festën e protestën

08/03/2011 15:35

Rreth 40 gra nga projekti i OSBE-së për “rritjen e rolit të gruas në vendimarrje” kërkuan mbështetjen e Presidentit të Republikës për kandidaturat që ato do t’u parashtrojnë partive për zgjedhjet e ardhshme. (UPDATE)

“Në këto momente kërkojmë mbështetjen tuaj. Mbështetje për të garantuar përfaqësimin e plotë të grave në listat e kandidatëve për këshillat komunalë dhe bashkiakë, si dhe për kryetare komune e bashkie, duke garantuar zbatimin e kuotës gjinore 30%”, është shprehur Majlinda Bufi, përfaqësuese e projektit të OSBE-së.

Sipas presidentit, 30% është pak. Në dekretimet e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, presidenti tha se është përpjekur të ruajë një raport të barabartë mes burrave dhe grave. Presidenti përmendi kryeprokuroren Ina Rama apo kryetaren e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, si të emëruara prej tij në poste që deri atëherë mendoheshin për burrat. Të angazhimi i grave në politikë, presidenti sheh premisat e zbutjes së klimës politike.

“Angazhimi juaj për zgjedhjet e 8 marsit, shumë i rëndësishëm, gratë të shpalosin dimensionin e tyre human, t’i ekuilibrojnë gjërat, të jenë më të buta”, deklaroi Topi.

Në kuadër të respektit të tjetrit, duhet respektuar, sipas Presidentit, edhe mënyra se si gratë e përkujtojnë sot 8 marsin.

“Kjo është një ditë që ka një simbolikë shumë të veçantë, që duhet respektuar në tërë kompleksitetin e vet, edhe ato që vendosin të festojnë edhe ato që vendosin të protestojnë”, tha Topi.

Më pas presidenti priti në dy takime të tjera drejtuese dhe aktiviste të organizatave të grave dhe një grup zonjash ushtarake, pjesë e Forcave të Armatosura.

Top Channel