PS, sot regjistrimi në KQZ

08/03/2011 11:10

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje regjistrimin e 11 partive të tjera për zgjedhjet lokale të 8 majit.

Partia Socialiste ende nuk kishte dorëzuar kërkesën për rregjistrim, por mësohet se gjatë ditës së sotme kjo kërkesë të realizohet.

Sot është edhe afati përfundimtar që parashikon Kodi Zgjedhor. Në bazë të kodit, afati i regjistrimit të forcave politike është 60 ditë nga data e zgjedhjeve, që është pra data 8 mars.

Ndërkohë, Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk kanë dorëzuar komisionerët për komisionet e nivelit të dytë, KZAZ-të, të cilat KQZ i plotësoi me anëtarë jashtë politikës dhe njoftoi ngritjen e tyre të djelën.

Vetë kryetari i PS, Edi Rama në fundjavë deklaroi nga Athina se bojkoti i zgjedhjeve nga Partia Socialiste nuk është një opsion.

Por zoti Rama nënvizoi nevojën e garancive që në këto zgjedhje nuk do të përsëriten problemet dhe defektet që u panë në zgjedhjet e 2009-ës.

Deri më tani, publikisht socialistët kanë formuluar 3 kërkesa: listat e zgjedhësve, letërnjoftimet dhe rikompozimin e KQZ-së.

Ndërkohë, në pritje të mbledhjes së regjistrimit të partive të opozitës, numri i subjekteve të regjistruara në KQZ deri të hënën ka mbërritur në 37.

Top Channel