PD, festë për 8 marsin

08/03/2011 15:20

Një kolazh këngësh shqiptare ishte dhurata që gratë dhe vajzat demokrate u kanë bërë të gjitha nënave dhe grave shqiptare në ditën ndërkombëtare të 8 marsit. (UPDATE)

Në një atmosferë festive të krijuara prej demokratëve të kryeqytetit, protagonistja femër ishte kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ngriti gratë dhe vajzat shqiptare në piedestal.

“Vitet e fundit është bërë shumë për gruan në çdo qytet të vendit. Të përulemi për sakrificat, kontributin dhe angazhimin e grave në shoqërinë shqiptare”, ka deklaruar Topalli.

Por megjithëse kjo është dita në të cilën gratë kërkojnë barazi në shoqëri, protagonisti kryesor i festës për vajzat dhe gratë demokrate ishte kryeministri Sali Berisha.

Duke u përulur me nderim para sakrificave dhe kontributit të nënave shqiptare, kryeministri Berisha u dha atyre të gjithë meritën për gjithçka të mirë ka arritur vendi në këto 20 vjet.

“Ju shpreh mirënjohjen më të thellë për kontributin tuaj. Çdo komb ka në themel të arritjeve sakrificën njerëzore. Gruaja është burim i pashtershëm i dashurisë dhe sakrificës. Çdo fitore dhe arritje mban emrin e gruas shqiptare”, ka deklaruar Berisha.

Kjo festë me gratë demokrate nuk mund të mos trajtohej edhe në dritën e fushatës së afërt elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit, pasi kryeministri Berisha i konsideron gratë dhe vajzat si gjeneratorin kryesor të fitores në zgjedhje.

Top Channel