NATO, gati të ndërhyjë në Libi

07/03/2011 19:20

NATO po sheh mundësinë e ndërhyrjes në Libi. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fog Rasmussen ka deklaruar se NATO po bëhet gati për cdo skenar.

Të njëjtën gjë ka thënë edhe presidenti amerikan Barack Obama, gjatë një takimi me kryeministren australiane Julia Gillard, në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

“NATO po studion për Libinë një gamë të gjerë opsionesh, mes të cilëve është edhe ai ushtarak”, ka deklaruar presidenti amerikan.

Obama është shprehur se, përgjigjia e dhunshme e qeverisë së Libisë është e papranueshme dhe për këtë u ka dërguar një mesazh mbështetësve të kolonel Gaddafi-t.

“Do të përgjigjeni të gjithë për veprimet tuaja”, ka deklaruar presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Administrata amerikane ka autorizuar edhe një fond prej 15 milionë dollarësh në formë ndihmash humanitare për qytetarët e Libisë.

Ndërkohë, pas kërkesës së vendeve të Gjirit Persik për një rol të Kombeve të Bashkuara në krizën e rëndë, Ban Ki Moon ka caktuar të dërguarin special të OKB-së.

Top Channel