Libi, forcat e Gaddafi-t fitojnë terren

07/03/2011 15:10

Forcat qeveritare në Libi janë duke avancuar drejt qytetit port të Ras Lanufit, ndërsa rebelët po shtyhen gjithmonë e më në lindje.

Sipas raportimeve të fundit të mediave ndërkombëtare, forcat mbështetëse të Gaddafi-t janë duke dominuar luftimet e dy ditëve të fundit, ndërsa po rimarrin terren të humbur më parë në dy javët e revoltave.

Qyteti i vogël i Bin Javadit, 50 kilometra prej Ras Lanufit, ka rënë që në mëngjes në duart e forcave qeveritare.

Aktualisht, luftime po zhvillohen edhe për qytetin e Misratës, ku një ofensivë e mëparshme qeveritare dështoi gjatë mëngjesit.

Me 300 mijë banorë, Misrata është qyteti më i madh i kontrolluar prej rebelëve, jashtë bastioneve të tyre në lindje të vendit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara lajmëroi gjatë ditës se ka emëruar një ish-Ministër Jordanez si të dërguar në Libi, ku sipas vlerësimeve, më shumë se 200 mijë persona kanë braktisur vendin me 6,4 milion banorë.

Pika e parë e bisedimeve midis OKB-së dhe Gaddafi-t do të jetë lejimi i ndihmës humanitare në zonat ku po zhvillohen luftime, për t’i ardhur në ndihmë pothuajse një milion libianëve, të cilët rrezikohen nga mungesa e ushqimeve, ujit dhe ilaçeve, në zonat e nxehta të luftimeve.

Top Channel