Videot, Prifti në prokurori

06/03/2011 15:00

Dritan Prifti ka marrë zyrtarisht thirrjen për në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u pyetur nga një grup prokurorësh në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij atë të korrupsionit pasiv.

Depueti Dritan Prifti pritet që të paraqitet në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme paraditen e së hënës, ku i duhet të japë shpjegimet e tij mbrojtëse në lidhje me akuzën e ngritur të korrupsionit pasiv, por edhe për cështjen që implikon ish-zëvendëskryeministrin dhe ish-ministrin e Ekonomisë, Ilir Meta. Sipas Prokurorisë, të dyja cështjet janë të lidhura me njëra-tjetrën pavarësisht se hetohen të ndara.

Akuza ndaj Priftit u ngrit nga organi i akuzës, pas depozitimit të vetë të akuzuarit të një ore videoregjistruese, kompjuterit dhe paisjeve të tjera të përgjimit ku shfaqej ai edhe ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta në një bisedë ku kërkohej favorizimi për disa biznesmenë për përfitim tenderash.

Mirëpo gjatë kontrollit që iu bë paisjeve, organi i prokurorisë deklaroi se, arriti të rekuperojë edhe një filmim tjetër, atë të ish-ministrit të Ekonomisë Prifti, zëvendësin e tij dhe një shumë prej 70 mijë eurosh. Për këtë arsye prokuroria kërkoi për Dritan Priftin heqjen e imunitetit të tij nga parlamenti për të vazhduar me hetimet për akuzën e korrupsionit pasiv.

Vetë Prifti pohoi para Parlamentit se videon, në të cilën prokuroria bazon akuzën kundër tij për korrupsion e ka xhiruar ai vetë me të njëjtin qëllim si videon e parë, të bërë tashmë publike.

Prifti duke lënë vullnetarisht imunitetin deklaroi se video për të cilën akuzohet është filmuar për të provuar presionet, joshjet për korrupsion apo korrupsionin e Ilir Metës.

Gjatë seancës parlamentare për heqjen e imunitetit të tij, Prifti tha se akuza ndaj tij për korrupsion pasiv do të ishte shmangur, nëse prokurorët do ta thërrisnin më parë në një seancë pyetjesh.

Deputeti ka shprehur dyshime për shkresën e Prokurores se ka përfituar një sasi eurosh në mënyrë korruptive, dhe se ka shprehur  garanci se këtë ai mund ta sqarojë qoftë edhe me një seancë thirrjeje në prokurori, seancë që duket se do të zhvillohet nesër.

Mbetet për t’u parë nëse kjo do të jetë e vetmja, apo do të ketë të tjera thirrje.

Top Channel