Pranga Alban Rexhës për datëlindje

05/03/2011 12:05

Ish i fejuari i këngëtares Ingrid Gjoni, Enea Gega, bashkë me personazhin Alban Rexha, i njohur si “Ujku” dhe një futbollist që jeton në Angli kanë përfunduar sërish në prangat e policisë.

Duket se ata nuk mund të qëndrojnë më jashtë dyerve të qelisë, pasi janë kapur me një pistoletë pa leje, me të cilën mendohet se kanë qëlluar në ajër, duke prishur rendin dhe qetësinë publike.

Dy personazhet e njohura, bashkë me futbollistin Ernest Qordja, i cili jeton në Angli, sapo kishin dalë nga një pub, kur janë ndaluar nga policia.

Sipas të dhënave, ndalimi i tyre është bërë nga Komisariati nr. 2 në Tiranë. Alban Rexha kishte mbledhur shoqërinë për datëlindjen e tij, që rezulton e vërtetë edhe sipas verifikimeve të policisë, i cili dje ka mbushur 34 vjeç.

Dje, rreth orës 04:30 të mëngjesit, ata kanë marrë një të njohurin e tyre, duke e punësuar si taksist për t’i dërguar në shtëpi. Por, sapo kanë dalë nga lokali, ata mendohet se kanë qëlluar me pistoletë në ajër.

Menjëherë, policisë i është dhënë informacion dhe një postbllok është ngritur te rruga “Medar Shtylla”.

Patrullat e policisë kanë kërkuar që tre shokët e lartpërmendur dhe shoferi i makinës të zbrisnin për kontroll.

Gjatë kontrollit, në vendin ku ishte ulur Enea Gega, i cili ka nënën e tij avokate dhe ka qenë i fejuar me këngëtaren e njohur, Ingrid Gjoni, është gjetur një pistoletë 15-she.

Kaq ka mjaftuar dhe patrullat e policisë kanë shoqëruar të katër personat në ambientet e Komisariatit nr. 2.

Top Channel