Kina, frikë nga revoltat

05/03/2011 08:25

E frikësuar nga vala e revoltave që kanë përfshirë botën arabe, qeveria kineze nxitoi të paralajmërojë dhe kërcënojë cdo përpjekje për revolucion. Por ndërkohë, ajo ka përgatitur një sërë masash për të zbutur problemet sociale në vend.

“Kina duhet të sigurojë qëndrueshmëri sociale nëpërmjet reduktimit të
inflacionit dhe korrupsionit”, deklaroi Kryeministri Wen Jiabao, në
Kongresin e përvitshëm të partisë komuniste. 

Wen iu adresua 3 mijë delegatëve, në fjalën e tij hapëse, në Pallatin e Madh të Kombit në Pekin. Ai përcaktoi si objektiva të qeverisë mbajtjen e inflacionit nën normën 4% dhe rritjen ekonomike mbi normën 8%.

Sipas Kryeministrit, partia do të punojë më shumë për një ndarje më të drejtë të pasurisë së kombit, ndërsa pranoi se shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave krijon varfëri dhe paqëndrueshmëri sociale.

Ai paralajmëroi në Kongres edhe për lëvizje të ngjashme me reformat pro-demokratike të Lindjes së Mesme, të cilat i përdori si shembull për të ilustruar se çfarë ndodh kur regjimi nuk përfill pritshmëritë e popullit të tij.

Më vonë gjatë ditës, do të prezantohet përpara 3 mijë delegatëve plani i ri 5-vjeçar ekonomik.

Top Channel