Skema ekonomike, 3 mijë të përjashtuar

03/03/2011 12:15

Kriteret mbi të cilat do të bëhet seleksionimi i familjeve që do të përfitojnë ndihmë ekonomike do të jenë shumë të rrepta. Të paktën kështu është pohuar dje në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Sipas përfaqësuesve kryesorë të këtij komisioni, thuhet se shkak për marrjen e këtij vendimi janë abuzimet që janë konstatuar herë pas here në dosjet e dorëzuara nga kandidatët në gjendjet civile përkatëse. Sipas tyre, përcaktimi i një sërë kushtesh të forta do të shmangë çdo mundësi abuzimi.

Në një prej pikave të ndryshuara të skemës ekonomike thuhet se nëse një familje ka një person emigrant, apo ka dikë të punësuar qoftë edhe me periudha të shkurtra, përjashtohet menjëherë nga skema, rrjedhimisht nuk ka asnjë të drejtë përfitimi nga shteti. Zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, sqaroi para Komisionit të Punës, se aktualisht numërohen 3 mijë persona që do të përjashtohen nga kjo skemë.

“Keni njeri në punë? Po kam. Dilni nga skema! Nëse thotë jo, vazhdojnë pyetjet e tjera. Po, ose jo, këto përgjigje të shkurtra dhe të prera në pamje të parë të skualifikojnë, pasi në bazë të tyre përcaktohet edhe vendimi final. Familjet në nevojë nuk e kamuflojnë dot. Dikush mund ta ketë fëmijën në emigracion, por nuk e thotë. Nuk mund të lejojmë njeri jashtë skemës, ja pse fusim pikët”, theksoi Sulka.

Por, sipas opozitës, skema me kritere të reja të ndihmës ekonomike nuk mund ta zbusë varfërinë ekstreme.

“Sot, me 4230 lekë mund të paguash vetëm bukën, dritat dhe ujin, pastaj mbarojnë lekët”, sqaroi deputeti socialist, Ilir Beqja.

Në komision është debatuar ashpër edhe për llogaritjen e varfërisë ekstreme në Shqipëri, e cila në bazë të të dhënave të INSTAT-it është rreth 2 dollarë në ditë, si dhe për vendimin që lista e familjeve që përfitojnë asistencë të mos hartohet më nga pushteti lokal, por nga qeveria.

Në kuadër të ndryshimeve që do të përfshijnë skemën e ndihmës ekonomike është premtuar që krahas kushteve të rrepta, të ketë edhe disa lehtësira.

I tillë është premtimi i bërë afro dy javë më parë nga ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili tha se përveç parave, do të mundësohen edhe veshmbathje e ushqime.

Por, këto të fundit, sipas tij, do të përfitohen vetëm nga ato familje, ekonomia e të cilave është tejet e mjerueshme.

Pra “tollonin” nuk do të ketë të drejtë ta përfitojë çdo familje që është pjesë e ndihmës ekonomike, por vetëm ato që, edhe pse marrin para në dorë, e kanë të pamundur të përballojnë jetesën e përditshme.

Top Channel