Kuvend, replika Beqja-Nishani

03/03/2011 16:10

Deputeti Ilir Beqja ka denoncuar në fjalën e tij pasuritë sipas tij të fshehura të qeveritarëve.

Duke mbështetur denoncimet e kolegut Taulant Balla, Beqja ka treguar disa fotografi me disa vila, të cilat sipas tij janë në pronë të anëtarëve të kabinetit të kryeministrit Berisha.

Më tej, ai ka hedhur akuza ndaj tyre se kanë hapur llogari sekrete bankare në Itali, Qipro dhe Holandë.

“Kjo është qeveria e kusarëve, matrapazëve dhe vrasësve. 5 anëtarë të kabinetit qeveritar kanë llogari të dyshimta në Itali, Qipro dhe Rotërdam të Holandës”, ka deklaruar Beqja.

Ndaj tij ka reaguar ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, të cilit i ka kujtuar se në rastin e tij, mazhoranca qeverisëse i është drejtuar gjykatës.

“Zoti Beqja, ju jeni i vetmi rast për të cilin Kuvendi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni një nga miliarderët e shumtë të kësaj salle, që kanë ardhur në Parlament për shkak të përfitimeve publike. Prandaj, para se të hidhni akuza, prisni vendimet e gjykatës”, ka deklaruar Nishani.

Top Channel