Mazhoranca dhe opozita kanë shkëmbyer akuza të forta në Parlament për mënyrën e pasurimit të disa anëtarëve të qeverisë, mes të cilëve edhe ministri i Financave Ridvan Bode.
Ai mbrojti në Parlament disa ndryshime në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, por u akuzua bashkë me disa ministra të tjerë nga deputeti socialist Taulant Balla për përfitime të paligjshme.
“Kryetari i qeverisë së hajdutëve, vrasësve dhe parave të pista do të emërojë personin që duhet të pastrojë paratë e Saliut. Mjafton t’i hedhësh një sy pasurisë së kryeministrit dhe ministrave, është e qartë që kemi të bëjmë me një qeveri-lavanderi”, ka deklaruar Balla.
“Ligji bën fjalë për të hetuar pikërisht njerëzit me mbështetje politike. Kryetari i opozitës është prej muajsh i denoncuar në Prokurori për çështjen e 20 përqindshave dhe ende nuk ka një përgjigje. Deputetët e PS-së kanë akuza për pastrim parash në Australi dhe që për çudi na u kthyen në 20 janar në Shqipëri”, është përgjigjur Bode.
Por Balla ka vijuar duke deklaruar se: “Ministri i Financave është kthyer në një perandori financiare duke u shitur shqiptarëve kasat sa frëngu pulën dhe tani edhe pullat fiskale”.
“Ti je një njeri pa dinjitet që përfaqëson një njeri që i ka dosjet sa një mal për korrupsion. Unë jam pa imunitet, më hetoni, nuk keni për të gjetur asgjë”, ka replikuar Bode.
Përmendja e emrave të Shkëlzen Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës, Majlinda Bregut dhe Genc Rulit si persona që kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme është cilësuar si shpifje nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila pasi ka paralajmëruar dy herë deputetin Balla, deklaroi përjashtimin e tij nga seanca, gjë që është kundërshtuar nga socialistët.
“Nuk jeni ju si drejtuese e seancës që të përcaktoni është apo jo shpifje, ju s’jeni as prokurore e as gjykatëse”, ka deklaruar deputeti socialist Namik Dokle. Por Topalli është kundërpërgjigjur duke deklaruar se, “kryetarja vendos, roja do të veprojë”.
Pas rinisjes së seancës për herë të dytë, situata u tensionua sërish, kur Erion Brace, që duhej të fliste për procedurë në emër të grupit socialist, u ndërpre nga kryetarja e Kuvendit, sipas të cilës deputeti i opozitës nuk po zbatonte rregulloren.
“Kur keni sulmuar ju personalisht 4 deputetë të Parlamentit me të dhëna të transformuara…”, ka filluar të flasë Brace, që është ndërprerë nga Topalli. “Je jashtë procedurës, nuk mund të vazhdosh”, i ka thënë ajo duke ia prerë fjalën.
Në këtë atmosferë, që nuk ndryshon nga herët e tjera, demokratët votuan për miratimin e të gjitha projektligjeve të diskutuara, duke u larguar më pas nga salla ku mbetën vetëm deputetët socialistë dhe kolegët e tyre demokratë që kishin kërkuar fjalën për të diskutuar për cështje jashtë rendit të ditës.
Top Channel