Bode, akuza për korrupsion opozitës

03/03/2011 14:45

Ministri i Financave, Ridvan Bode, një prej të akuzuarve në Parlament nga deputeti socialist Taulant Balla, ka reaguar ashpër duke hedhur akuza mbi Prokurorinë, e cila, sipas tij, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj akuzave për korrupsion mbi deputetët e opozitës.

Ai ka akuzuar për shpifje deputetin Balla, duke theksuar se ligji për pastrimin e parave është bërë pikërisht për deputetët e korruptuar që fshihen pas imunitetit.

“Ligji bën fjalë për të hetuar pikërisht njerëzit me mbështetje politike. Kryetari i opozitës është prej muajsh i denoncuar në Prokurori për çështjen e 20 përqindshave dhe ende nuk ka një përgjigje. Deputetët e PS-së kanë akuza për pastrim parash në Australi dhe që për çudi na u kthyen në 20 janar në Shqipëri”, tha Bode.

“Ato që thatë ju janë shpifje të ndyra dhe gjithsecili nga ju ka të drejtën të hetojë mbi pasuritë tona të deklaruara. Por ju nuk mund të akuzoni në mënyrë të ndryrë. Je një shpifës ordiner sepse më akuzoi se qenkam pronar pas dy konçesioneve të dhëna, ndërkohë që pronar është një i afërm i juaji. Ligji është rruga më e mirë për të nxjerr nga thonjtë e mafies segmente te caktuar që ju po u bëni avokat me bomba molotovë. Ligji është për ty që të mos fshiesh pas imunitetit. Ti nuk ke të ardhme, je njeri pa dinjitet”, theksoi Bode.

Top Channel