Amnistia, clirohen 5 miliardë usd

03/03/2011 19:45

Biznesi e mirëpret nismën e lajmëruar nga kryeministri një ditë më parë për një amnisti të gjerë fiskale, duke e cilësuar atë si një hap në drejtimin e duhur.

“Ne e mbështesim këtë projekt dhe them që të bëhet një projekt që ta nxisë biznesin dhe kapitalet”, deklaron Luan Bregasi, president i Biznes Albania.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për dialog, biznes, parlament, Eugenia Gjuraj dy vjet më parë ka qenë në grupin e punës që i propozoi zyrtarisht qeverisë një draft për amnistinë fiskale.

Ajo thotë se, formalizimi i ekonomisë dhe integrimi i vendit në BE e bën të domosdoshme amnistinë, që sipas saj do të clironte kapitale të mëdha në ekonomi.

“Janë bërë llogaritje, duke llogaritur dhe parashikuar një varg të ekonomisë dhe informalitetit. Është llogaritur një vlerë prej 3.5 miliardë dollarë”, thotë Gjuraj.

Enea Janko, i cili prej vitesh ka menaxhuar disa nga bizneset më të njohura në vend, thotë se biznesi duhet të jetë palë në hartimin e ligjit, duke propozuar dhe parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet amnistia.

“Amnistia duhet të jetë e përgjithshme, në të të përfshihen edhe qytetarët. Gjithashtu, tarifat duhet të jenë konkurruese me ato që aplikohen në vendet fqinje, në mënyrë që emigrantët t’i sjellin në bankat shqiptare. Ky proces duhet të ketë disa përjashtime si për kryeministrat, ministrat, gjyqtarët, etj”, thekson Janko.

Për vetë rrethanat në të cilat është zhvilluar ekonomia shqiptare, gjatë dy dekadave të fundit shumë ekspertë e konsiderojnë amnistinë një domosdoshmëri.

Top Channel