SHBA: Gaddafi, një zhgënjim i vërtetë

01/03/2011 09:25

Ambasadori amerikan në OKB ka deklaruar se lideri libik Muammar Gaddafi është një zhgënjim dhe i papërshtatshëm për të qeverisur.

Reagimi i Susan Rice ka ardhur pas intervistës që kolonel Gaddafi dha për BBC dhe media të tjera perëndimore.

“Fakti që ai qeshte kur i bëheshin pyetje, ndërkohë që populli i tij masakrohej, tregoi se ai ishte i shkëputur nga realiteti”, ka deklaruar Rice.

Në intervistë, kolonel Gaddafi shprehej i bindur se populli libik e donte atë dhe mohonte mbajtjen e protestave në Tripoli.

Ministrat e Jashtëm të mbarë botës dënuan sulmet ndaj civilëve në Libi dhe Bashkimi Evropian vendosi sanksione si embargo armësh, ngrirje të pasurive të Gaddafi-t dhe ndalimin e udhëtimeve të tij jashtë shtetit.

Ndërkohë, plot 30 miliardë dollarë asete libiane janë bllokuar nga Shtetet e Bashkuara.

Koloneli po përballet me një sfidë masive që po i bëhet pushtetit të tij 41-vjecar, me protestuesit që kontrollojnë qytetet në lindje të Libisë.

Top Channel