Lideri opozitës bjelloruse akuzon torturat

01/03/2011 16:15

Një ish-kandidat i opozitës për president në Bjellorusi pretendon se është torturuar dhe zhveshur nga çdo e drejtë njerëzore, gjatë kohës që mbahej i izoluar në një qeli burgu.

Ales Mikhalevich, i cili u arrestua pas protestave të muajit dhjetor, akuzoi forcat e policisë se kishin përdorur ndaj tij mjete të torturës fizike dhe asaj mendore.

Në një deklaratë të lëshuar më parë gjatë ditës, 35-vjeçari pretendoi se ishte lënë në qeli i zhveshur dhe i lidhur me pranga, pasi refuzoi të nënshkruante deklarata, ku ai pranonte fajin për organizimin e protestave të jashtëligjshme.

Ai u lirua nga burgu disa ditë më parë, pasi Prokuroria Bjelloruse nuk paraqiti asnjë akuzë kundër tij. Disa lidera të tjerë të opozitës do të paraqiten në gjykatë, për t’u përballur me akuza që mund t’i kushtojnë deri në tetë vjet heqje lirie.

Zgjedhjet presidenciale të dhjetorit ishin gjerësisht të manipuluara, sipas OSBE-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Ato i dhanë një mandat të katërt presidentit Lukashenko, i cili përballet me një seri masash dhe bllokadash personale nga vendet e Bashkimit Europian.

Top Channel